Drilon Hazrollaj është ftuar për herë të parë në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Selektori i Kosovës, Franco Foda, të premten ka publikuar listën për ndeshjet miqësore me Armeninë dhe Hungarinë, që janë më vonë këtë muaj.
Dhe në listën e gjermanit Foda është edhe sulmuesi i Malishevës, që po kalon formë të lartë aktualisht. Hazrollaj, 20-vjeçar, këtë edicion i ka 17 gola në Superligën e Kosovës.
Kosova luan me Armeninë më 22 mars në Jerevan, ndërsa ndeshja me Hungarinë është më 26 mars në Budapest. Janë ndeshje debutuese për selektorin Foda. Ai u emërua javë më parë, duke zënë pozitën që mbeti vakante pas largimit të sllovenit Primozh Gliha.
Ilir Avdyli është tjetër emër i ri në listë. Por 33-vjeçari i Llapit është ftuar vetëm si portier i tretë, pas Arijanet Muriqit e Visar Bekajt. Muriq e Bekaj në fakt po aktivizohen rrallë për skuadrat e tyre dhe porta vazhdon të mbetet pikë e ndjeshme e “Dardanëve”.
Pas përplasjeve që kishte me përgjegjësit e përfaqësueses, te Kosova kthehet sulmuesi i krahut Edon Zhegrova. Është kthyer edhe kapiteni Amir Rrahmani, që po ashtu mungoi në ndeshjet e nëntorit, që ishin të fundit për Kosovën. Pas sanimit është kthyer edhe sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, ndërsa nga lëndimi kthehet edhe Albion Rrahmani.
Donat Rrudhani, Blendi Idrizi, Valon Berisha, Bersant Celina janë të tjerë lojtarë që janë kthyer në përfaqësuese nga Foda.
Gjithsej në përfaqësuese janë ftuar 24 futbollistë.
“Lindon Emërllahu i Ballkanit, pas angazhimit me Kosovën U21 në ndeshjen ndaj Gjermanisë, nga 23 marsi i bashkohet Kombëtares A për ndeshjen e dytë kundër Hungarisë”, ka njoftuar FFK-ja.
Emërllahu vlerësohet talent shumë i madh, ndërsa është kthyer kohë më parë nga një lëndim serioz.
Përfaqësuesja grumbullohet të hënën, ndërsa stërvitja e parë është nga ora 16:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Të mërkurën përfaqësuesja niset për në Jerevan të Armenisë.
“Këto dy miqësore do të jenë mundësi e mirë për trajnerin Foda që ta njohë nga afër ekipin dhe ta përgatisë atë për një rrugëtim të suksesshëm”, shkruan FFK-ja.
Risi është lista rezervë e Fodas. Deri më tani nuk ishte praktikë që të publikohet lista rezervë, ndërsa në rast të lëndimeve lojtarët e lënduar janë zëvendësuar nga të tjerë.
Në listën rezervë janë Mustafë Abdullahu, Kreshnik Hajrizi, Lirim Kastrati, Qendrim Zyba, Altin Zeqiri, Emir Sahiti, Shkelqim Vladi e Muhamet Hyseni. Për Ermal Krasniqin, që po kalon formë të mirë në Rumani te Rapidi i Bukureshtit, nuk ka pasur vend as në listën rezervë.
Përfaqësuesja e Kosovës
Portierë: Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Ilir Avdyli
Mbrojtës: Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Lumbardh Dellova, Mirlind Kryeziu, Leart Paqarada, Ilir Krasniqi, Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj
Mesfushorë/sulmues: Donat Rrudhani, Florent Muslija, Florian Loshaj, Blendi Idrizi, Valon Berisha, Bersant Celina, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Zymer Bytyqi, Elbasan Rashani, Drilon Hazrollaj, Albion Rrahmani, Vedat Muriqi
