Tottenham Hotspur ka mposhtur Brightonin në xhiron e 30-të të Premier Leagues, në një ndeshje të tensionuar e shumëdiskutuar në rrjete sociale, për të mbetur në garë për katër pozitat e para të tabelës, që çojnë në Ligën e Kampionëve.
Ekipi nga Londra e veriut fitoi 2:1, në një ndeshje që u përcoll edhe me përplasje të shumta në fushë, e polemika edhe me gjyqtarët. Madje si pasojë e përplasjeve dy trajnerët Cristian Stellini dhe Roberto De Zerbi u përjashtuan në minutën e 59-të.
Son dhe Harry Kane realizuan golat për vendasit, ndërsa golin e vetëm për Brightonin e shënoi Lewis Dunk.
Tottenhami është i pesti në tabelë me 53 pikë pas 30 ndeshjeve. Nga tri pikë më shumë kanë Newcastle dhe Manchester United në pozitat tre dhe katër, por me nga një ndeshje më pak të zhvilluar.