Diskriminimi ndaj karateistëve me shumë mundësi nuk do të jetë i fundit ndaj sportistëve kosovarë. Menjëherë në muajin tjetër në Indi mbahet Kampionati Botëror për boksiere. Në këtë ngjarje globale duhet të paraqitet Donjeta Sadiku.
Por pjesëmarrja e saj, përkatësisht hyrja në Indi, nuk është konfirmuar ende. Dhe, rreziku po rritet që Donjetës për herë të tretë mos t’i lejohet hyrja në Indi për të garuar në ngjarje të mëdha boksi. Vite më parë asaj dy herë i ishte ndaluar hyrja në Indi dhe kështu kishte mbetur jashtë kampionateve të mëdha.
Federata e Boksit e Kosovës ka paraqitur Donjetën për të garuar në Botëror dhe ka nisur me kohë procedurat. Por përgjigje pozitive ende nuk ka marrë nga Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) dhe Federata e Boksit e Indisë.
IBA e ka dërguar çështjen te federata indiane dhe kjo vetëm sa rrit gjasat që boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, sërish të jetë viktimë e diskriminimit.
“Kemi kryer të gjitha procedurat e nevojshme dhe po presim përgjigje. Jemi në koordinim me MKRS-në dhe KOK-un, ndërsa shpresojmë që Donjeta Sadikut t’i mundësohet paraqitja si gjitha boksiereve tjera”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
KOHA i ka shkruar IBA-së javën e kaluar lidhur me pjesëmarrjen e Donjetës në Botërorin në Indi. Por nuk ka pranuar ende përgjigje.
India nuk e njeh shtetin e Kosovës. Megjithatë kishte lejuar hyrjen e shahistëve kosovarë për të marrë pjesë në Olimpiadën e vitit të kaluar. Kjo kishte ndodhur vetëm pas reagimeve të shumta që u bënë.
Një përgjigje e Federatës Ndërkombëtare të Boksit për FBOXK nuk jep shumë arsye për optimizëm.
“E kemi përcjellë kërkesën tuaj te Federata e Boksit të Indisë për të lehtësuar pjesëmarrjen tuaj në ngjarje. Ajo do të jetë në kontakt me ju për asistencën e mëtejme”, shkruan në përgjigjen e Departamentit Sportiv të IBA-s.
Ndërkohë nga Federata indiane janë përgjigjur se është “pak sfiduese” të merren vizat nga shtetasit e Kosovës.
“Po, për fat të keq është pak sfiduese për Kosovën që të marrë viza për Indi. Ne do të kontaktojmë me ministrinë përgjegjëse. Na jepni disa ditë. Po e japim më të mirën për të gjetur rrugët e mundshme që të sigurohemi se askush nuk do të mbetet pa marrë pjesë në kampionat”, shkruan në përgjigjen e Federatës indiane për Federatën e Boksit të Kosovës.
Kampionati Botëror për boksiere mbahet prej 15 deri më 26 mars në New Delhi. Deri më tani janë paraqitur mbi 200 boksiere.
Donjeta ka thënë ditë më parë se është e gatshme të fitojë medalje në Indi dhe se shpreson se do t’i mundësohet paraqitja.
23-vjeçarja vjet fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane. Synon të vazhdojë me suksese kulmore edhe këtë vit.
Në fundjavë në Qipro u mbajt Kampionati Evropian i karatesë për të rinj. Autoritetet qipriote kushtëzuan pjesëmarrjen e Kosovës me paraqitje pa simbole. Dhe në vend të flamurit të Kosovës në arenë vendosën një arnë ku e kishin shkruar “Kosovo Karate Federation”. Ekipi i Kosovës vendosi mos të garojë, duke mos pranuar diskriminimin.
Për këtë rast reagoi vetëm Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa nuk ka ndonjë masë nga autoritetet ndërkombëtare të karatesë. Në fakt Federata Evropiane e Karatesë ka pranuar vendimin e autoriteteve qipriote dhe u ka thënë drejtuesve të Federatës kosovare se mund të garojnë vetëm me kushtet e vëna nga qeveria e vendit nikoqir.
Diskriminimi ndaj sportistëve kosovarë nuk paraqet ndonjë risi. Dhe diskriminimi pritet të jetë prezent edhe në të ardhmen, ndonëse Kosova është pranuar me të drejta të plota në asociacionet përkatëse sportive.