Me një ceremoni të bukur ka filluar Kampionati Botëror i boksiereve, në të cilin Kosovës iu pamundësua pjesëmarrja.
Ngjarja kryesore e vitit për boksieret ka nisur të mërkurën me ceremoninë hapëse të mbajtur në New Delhi të Indisë.
Pjesë e ceremonisë është dashur të jetë edhe boksierja kosovare, Donjeta Sadiku. Por, asaj iu pamundësua pjesëmarrja. Për herë të tretë Donjeta ka mbetur jashtë ngjarjeve globale në Indi.
Këtë herë autoritetet indiane u pajtuan të lëshojnë viza për anëtarët e delegacionit kosovar. Por, njoftimin për pajtimin që të lëshojnë viza e bënë vetëm të hënën, kur Donjeta dhe shoqëruesit e saj është dashur të niseshin për në Indi. Udhëtimi megjithatë do të realizohej sikur Qeveria e Indisë të ndalonte shfaqjen e simboleve të Kosovës nga Donjeta gjatë Botërorit. Ky kusht diskriminues nuk u pranua nga Federata e Boksit e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Sipas njoftimit të Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit (IBA), “New Delhi ka bërë pritje të ngrohtë për pjesëmarrëse dhe spektatorët në ceremoninë madhështore”.
“Shfaqjes spektakolare i parapriu parada e shteteve, ku mbajtëset e flamujve nga 65 vende u përshëndetën nga shikuesit”, ka shkruar IBA.
Në ceremoni natyrisht nuk ishte flamuri i Kosovës. Nuk ka pasur ndonjë reagim nga IBA që Kosova ka mbetur jashtë Botërorit për shkak të qëndrimit diskriminues të Indisë. India nuk e njeh shtetin e Kosovës, por vjet ka lejuar hyrjen e shahistëve të Kosovës për të garuar në Olimpiadën e shahut. Megjithatë, sa i takon boksit, India për herë të tretë nuk ka lejuar hyrjen e delegacioneve kosovare.
Në Botëror do të garohet në 12 kategori të ndryshme, ndërsa meçet e fundit janë më 26 mars. Fondi shpërblyes është 2.4 milionë dollarë.
IBA-ja ka telashe të mëdha, ndërsa boksi po rrezikon të përjashtohet nga programi olimpik. IBA-ja është e suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Dhe lejimi i qëndrimit diskriminues ndaj një vendi, në këtë rast Kosovës, mund të ndikojë që pozita e IBA-së të keqësohet.
Donjeta Sadiku vjet fitoi medalje të bronztë botërore dhe kishte synim për të zënë vend në podium edhe në Indi. Ajo ka mbetur e dëshpëruar për shkak të diskriminimit, por ka theksuar se këtë “goditje” do ta kthejë në forcë për të prekur nivele edhe më të larta.