Ka shumë arsye pse Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA) është i suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). IBA, që më parë njihej si AIBA, është suspenduar nga IOC-ja në vitin 2019. Dhe ka fare pak gjasa që me mënyrën se si funksionon IBA-ja, masa e suspendimit të anulohet nga IOC-ja.
Veprimeve e vendimeve skandaloze të IBA-s të enjten i është shtuar edhe një deklaratë që e ka thënë ky asociacion lidhur me mbetjen e boksieres kosovare, Donjeta Sadiku, që tashmë ka nisur në New Delhi të Indisë.
Qeveria e Indisë vetëm të hënën u pajtua të lëshojë viza për anëtarët e delegacionit kosovar. Ndërkohë e kushtëzoi paraqitjen e Donjetës në Botërorin e boksiereve me heqjen dorë nga simbolet e shtetit të Kosovës. Ky kushtëzim diskriminues nuk u pranua nga Federata e Boksit e Kosovës dhe Botërori nisi pa Kosovën pjesë të tij.
Por IBA-ja ka vlerësuar të enjten se Kosova ka refuzuar mundësinë e udhëtimit për në New Delhi, duke amnistuar kështu shtetin e Indisë për qëndrimin diskriminues.
“IBA dhe Federata e Boksit e Indisë bënë të pamundurën për të krijuar kushtet që sportistet kosovare të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit për femra në New Delhi. Qeveria indiane ishte gjithashtu shumë bashkëpunuese dhe ekipit iu garantuan vizat për të marrë pjesë në garë. Ishte për të ardhur keq të mësojmë që sportistët e Kosovës refuzuan mundësinë për të ardhur në New Delhi. IBA gjithmonë qëndron për të drejtën e sportistëve për t’u përfaqësuar me simbolet e tyre nacionale, por nuk mund të ndikojë në raportet diplomatike mes vendeve. IBA përsërit qëndrimin e saj për sporte pa kufi dhe jashtë politikës. Po ashtu nuk pranon asnjë diskriminim mbi asnjë bazë dhe do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e sportistëve të saj për të garuar”, thuhet në një deklaratë që IBA-ja e ka bërë të enjten për “insidethegames.biz”.
Federata Ndërkombëtare e Boksit ka lënë të kuptohet se nuk planifikon ndonjë masë ndaj Indisë, që është nikoqire e Botërorit.
Për herë të tretë India nuk ka lejuar paraqitjen e Donjeta Sadikut në Botërorët e mbajtur në këtë vend. Por në dy rastet e para qëndrimi i AIBA-s (tani IBA-s) ishte më ndryshe. Madje, sipas FBOXK, AIBA kishte vendosur që të dënonte Indinë me mosorganizimin e ngjarjeve të mëdha për shumë vjet.
Por me ardhjen e rusit Umar Kremlev në krye të Federatës ndërkombëtare të boksit, shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë organizatë – kryesisht për të keq. Sërish India është zgjedhur si nikoqire e Botërorit, ndërsa IBA mbetet e suspenduar nga IOC-ja.
Ndërkohë boksieret nga Rusia dhe Bjellorusia po garojnë me flamujt e tyre në Botërorin në Indi. Kjo po ndodh për herë të parë që nga viti 2019, ndonëse rusët e bjellorusët janë të pezulluar nga shumica e organizatave sportive. Por presidenti rus i IBA-s, Kremlev, ka vendosur të heqë pezullimin për Rusinë dhe Bjellorusinë në tetor të vitit të kaluar, në kundërshti me sugjerimin e IOC-së. Për këtë arsye shumë vende janë duke bojkotuar Botërorin e boksiereve në Rusi.
“Qartë se për ne sportistët është me shumë rëndësi të fitojmë rastin të marrim pjesë në Botëror”, ka thënë boksierja ruse, Anna Aedma. “Nuk kemi mundur të garonim vitin e kaluar. Jam krenare që jam në gjendje të përfaqësoj vendin tim. Është emocion shumë i bukur të jesh në gjendje të garosh me flamurin tënd. Tani do të përkrah bashkëvendëset”, ka shtuar boksierja ruse, që u mposht në meçin e parë.
Rusia ka dërguar 12 boksiere në Botërorin në Indi. Dhe për këtë arsye plot 11 shtete, duke përfshirë disa shumë të mëdha, kanë hequr dorë nga Botërori. SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, Ukraina e Suedia janë në mesin e shteteve që po e bojkotojnë Botërorin në Indi. IBA ka nisur procedurë disiplinore ndaj federatave të këtyre vendeve.
Botërori në Indi në fakt nuk e ka vlerën e zakonshme. IBA thotë se ai shërben si garë për të siguruar normën olimpike për “Parisi 2024”. Por IOC-ja ka bërë të ditur se Botërori i IBA-s nuk siguron normë për Lojërat Olimpike. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dërguar vëzhgues në Botërorin në Indi.
Në ceremoninë hapëse të Botërorit ishte edhe ministri për sport i Rusisë, Oleg Matytsin. Ai qëndroi ulur pranë Kremlevit dhe zyrtarëve indianë.
Për këtë ka reaguar zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.
“Një ministër i qeverisë së Putinit qëndroi ulur pranë presidentit të IBA-s, federatës që pamundësoi paraqitjen e Donjeta Sadikut me simbolet e shtetit në Botëror. Niveli i ndikimit politik në këtë ngjarje sportive thjesht i thotë të gjitha”, ka shkruar Osmani.
Zhvillimet rreth IBA-s dhe pjesëmarrjes së rusëve në Lojërat Olimpike do të vazhdojnë. Por Kosova ka mbetur jashtë një tjetër ngjarjeje të madhe sportive dhe padrejtësi të tilla pritet të ketë edhe në të ardhmen.