Sport

Federata Ndërkombëtare arsyetohet për vendimin diskriminues ndaj boksierëve të Kosovës

Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (IBA) nuk ka marrë përgjegjësinë që boksierëve të Kosovës iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror që të hënën nisi në Tashkent të Uzbekistanit.

Uzbekistani nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe deri të shtunën nuk ka lëshuar viza për boksierët kosovarë. Vetëm të shtunën mbrëma një zyrtar i IBA-së u tha drejtuesve të Federatës së Boksit të Kosovës që garuesit e Kosovës të niseshin për në Uzbekistan. Por tashmë ishte vonë.

Kështu ka vazhduar diskriminimi ndaj sportistëve të Kosovës. Megjithatë, IBA-ja, që është në situatë shumë të vështirë, nuk ka pranuar se është përgjegjëse që boksierët e Kosovës edhe një herë mbetën jashtë Botërorit.

“Sa i takon Kosovës ne bëmë gjithçka që ishte e nevojshme për të siguruar vizat. Por autoritetet e vendit nuk e aprovuan këtë”, ka thënë për “insidethegames” sekretari i përgjithshëm i IBA-s, George Yerolimpos.

IBA është në konflikt me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Është përjashtuar nga organizimi i kualifikimeve olimpike, ndërsa tashmë është formuar edhe një tjetër organizatë ndërkombëtare e boksit amator. Derisa Kosovës iu mohua pjesëmarrja në Botëror, disa shtete të forta, duke përfshirë SHBA-në, bojkotuan Botërorin. Kjo, pasi IBA-ja lejon paraqitjen e sportistëve të Rusisë me flamurin e shtetit të tyre. Në Botëror janë edhe boksierët e Bjellorusisë.

“Është jashtë fuqisë sonë”, ka vazhduar Yerolimpos, derisa ka folur për mospajisjen me viza të anëtarëve të delegacionit kosovar.

Por ajo që thonë nga IBA-ja nuk qëndron plotësisht. Vjet xhudistët e Kosovës garuan në Uzbekistan dhe fituan medalje në Kampionat Botëror. Por ndikimi i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos është dukshëm më i madh. Po ashtu, rejtingu i xhudos kosovare.

Edhe nga Komitetit Organizativ Lokal i Botërorit kanë thënë se çështja e vizave nuk varet prej tyre.

“Komiteti Organizativ Lokal bëri përpjekje për të akomoduar vendet edhe pas afatit të regjistrimit. Me vizat merret Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë një zyrtar nga Komiteti Organizativ Lokal.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka akuzuar IBA-në se nuk po bën asgjë për të përkrahur boksierët e Kosovës.

“Jemi të brengosur për situatën pasi boksierët tanë po diskriminohen sërish nga vendet organizatore dhe IBA-ja nuk po bën asgjë në këtë proces”, kanë thënë nga KOK-u.

Këtë vit telashet me prezantim ishin të mëdha për sportistët e Kosovës. Pos boksierëve telashe kishin edhe karateistët.