Problemi duket se qëndron te Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA). Ajo drejtohet prej një rusi dhe aktualisht është e suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. IBA-ja nuk po ka qëndrim shumë miqësor ndaj Kosovës. Vjet në Tashkent është mbajtur Botërori i xhudos. Xhudistët e Kosovës nuk kanë pasur telashe për të udhëtuar e po ashtu që të paraqiten me të gjitha simbolet. Por IJF-ja është organizatë dukshëm më serioze se IBA-ja
Të hënën fillon Kampionati Botëror për boksierët amatorë. Por jo edhe për boksierët e Kosovës.
Kosovës nuk i është mundësuar paraqitja në Kampionatin Botëror që mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. Federata e Boksit e Kosovës të shtunën ka thënë se ka kryer me kohë të gjitha procedurat, por se pjesëmarrja e boksierëve kosovarë nuk është bërë e mundur.
Uzbekistani nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe sipas FBOXK-së kjo është arsyeja e mbetjes jashtë Botërorit.
FBOXK ka thënë se procedurat për pajisje me vizë i ka kryer që në muajin mars dhe ka marrë premtime se boksierët kosovarë do të pajisen me vizë hyrëse për Uzbekistan. Por kjo nuk ka ndodhur. Madje federata kosovare nuk ka as refuzim e as arsyetim nga organizatori i Botërorit.
“Ne edhe më herët kemi kërkuar nga IBA-ja që të angazhohet dhe të bëjë përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha. Se organizatori e ka paraparë të mos na pajisë me viza e tregon edhe mospërfshirja e Kosovës në faqen zyrtare të Botërorit. Kjo tregon se për shkak të politikës, konkretisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Uzbekistani, boksierët tanë do të humbin edhe një mundësi për të fituar medalje”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
Ai ka thënë për KOHËN se deri para dy ditësh çdo gjë ishte në rregull.
“Kemi pritur që të premten të marrim vizat, por nuk kemi kurrfarë përgjigje. Madje as telefonin nuk e kanë hapur përgjegjësit”, ka theksuar Demolli.
Bashkim Bajoku, Shpejtim Bajoku dhe Loris Idrizi është dashur të paraqiten në Botërorin 2023. Boksierët kosovarë nuk u lejuan të marrin pjesë as në Botërorin e kaluar, të mbajtur në Beograd në vitin 2021.
Më herët këtë vit jashtë Botërorit të boksiereve mbeti Donjeta Sadiku. India në momentin e fundit u pajtua të lëshoi vizë për Donjetën, por kushtëzoi paraqitjen e saj me heqje dorë nga simbolet e shtetit të Kosovës. Kjo nuk u pranua.
Lista e ngjarjeve që i kanë humbur boksierët kosovarë për shkak të qëndrimit të padrejtë politik tashmë është e gjatë. Donjetës i janë mohuar tre Botërorë në Indi. Boksierëve u janë mohuar dy Botërorët e fundit, ndërsa kanë mbetur edhe jashtë Botërorit U18 të mbajtur në Spanjë.
Por problemi duket se qëndron te Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA). Ajo drejtohet prej një rusi dhe aktualisht është e suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. IBA-ja nuk po ka qëndrim shumë miqësor ndaj Kosovës.
Vjet në Tashkent është mbajtur Botërori i xhudos. Xhudistët e Kosovës nuk kanë pasur telashe për të udhëtuar e po ashtu që të paraqiten me të gjitha simbolet. Por IJF-ja është organizatë dukshëm më serioze se IBA-ja. Po ashtu rejtingu i Kosovës në xhudo është dukshëm më i lartë se në boks.
Pos boksierëve, jashtë ngjarjeve ndërkombëtare kanë mbetur edhe karateistët. Ata kanë udhëtuar në Qipro e në Spanjë, por nuk kanë garuar pasi trajtimin nuk e kishin të barabartë. Ka pasur raportime se raportet mes drejtuesve të karatesë kosovare me drejtuesit e karatesë botërore nuk janë më të mirat.