Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Donjeta Sadiku ende në pritje të vizës për Indi, reagon Federata

Donjeta Sadiku - boks

Federata e Boksit të Kosovës (FBOXK), ka reaguar të dielën për shkak se boksierja Donjeta Sadiku ende nuk ka marrë përgjigje për vizë, në mënyrë që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që mbahet në Indi.

Në reagimin e federatës, thuhet se Kosova në këtë kampionat është dashur të përfaqësohet nga boksierja Sadiku, e cila ishte favorite për të siguruar medalje. Megjithatë, duket se politika po bëhet pengesë edhe një herë për t’ia mohuar boksieres kosovare pjesëmarrjen në këtë ngjarje. Kjo do të jetë hera e tretë që Sadikut nuk i lejohet pjesëmarrja në Indi, përkundër që federata ka bërë të ditur se në janar ka dorëzuar dokumentacionin e kompletuar për pjesëmarrje në këtë ngjarje, e cila mbahet prej datës 14 deri më 26 mars në New Delhi të Indisë. Sadiku nuk iu pat lejuar pjesëmarrja edhe në vitin 2018 e 2019.

Ekipi kosovar kishte paraparë që të niset për Indi të hënën, por ka shtuar se deri më tani nuk ka asnjë përgjigje pozitive, përkundër që në këtë proces janë angazhuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, pastaj Ministria e Punëve të Jashtë dhe ajo e diasporës. Në letrën e FBOXK-së, thuhet se Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata e Boksit të këtij vendi, po e fajësojnë Qeverinë indiane, përkatësisht Ministrinë e punëve të jashtme për mos pajisjen me viza të ekipit të Kosovës. India nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në FBOXK, kanë paralajmëruar se tashmë do të kërkojnë sqarime shtesë nga Federata Botërore e Boksit (IBA) për këtë çështje.

“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federatës Botërore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore si më pare që ka ndodhur në Indi, Serbi, Spanjë e tash sërish në Indi dhe ndjehemi të diskriminuar. Boksierët tanë të përfaqësueses përgatiten maksimalisht, arrijnë formë të mirë dhe është një ëndërr e madhe për ta që të jenë pjesë e këtyre kampionateve botërore”, thuhet në njoftimin e federatës Kosovare. “Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë nga IBA që të angazhohet dhe të bëj përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarje e mëdha si të gjithë boksierët e federatave të tjera që janë nën ombrellën e IBA-së”.