Në Federatën e Boksit të Kosovës kanë pritur kot edhe të premten. Lajmi i shumëdëshiruar nga India nuk ka ardhur. Ende nuk ka vizë për Donjeta Sadikun dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kosovar për të hyrë në Indi për të marrë pjesë në Botërorin e boksiereve.
Në fundjavë, të shtunën e të dielën, nuk pritet të ketë lëvizje. Për të hënën delegacioni kosovar i ka të rezervuara biletat. Edhe nëse autoritetet indiane reflektojnë javën e ardhshme, për Donjeta Sadikun mund të jetë vonë.
Në Federatën e Boksit të Kosovës ngadalë po i humbin shpresat. Sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Latif Demolli, thotë se kështu ka ndodhur edhe në vitin 2019.
“Nuk na janë përgjigjur deri në ditët e fundit dhe më pas na kanë thënë se autoritetet në Indi nuk kanë lëshuar vizat. Shpresojmë që këtë herë të jetë ndryshe, por shenjat nuk janë të mira. Ne për të hënën kemi të planifikuar udhëtimin”, ka thënë Demolli të premten mbrëma për KOHËN.
Natyrshëm, Demolli është shumë i dëshpëruar. Edhe më e dëshpëruar është Donjeta, që ka synime për të fituar medalje në Botërorin në Indi. Por koha po punon kundër saj.
Të hënën është e planifikuar arritja e delegacioneve në New Delhi, ku mbahet Botërori. Të martën është akreditimi e të mërkurën shorti zyrtar. Mundësitë po rriten që Donjeta, fituese e medaljes së bronztë nga Botërori i vitit të kaluar, të mos jetë pjesë e shortit.
India nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe qëndrimi i qeverisë indiane nuk po e befason FBOXK-në. Befasues është vendimi për t’ia dhënë Indisë të drejtën e organizimit të Botërorit, duke pasur parasysh që në vitet 2018 e 2019, Qeveria e Indisë nuk kishte lejuar hyrjen për Donjeta Sadikun. Në FBOXK tregojnë që Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) kishte dënuar Indinë me mosorganizim të ngjarjeve të mëdha. Por kanë ndodhur ndryshime në IBA, që tashmë ka raporte shumë të acaruara me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Dhe boksi amator shumë seriozisht rrezikon të përjashtohet nga programi olimpik.
Është pak absurde po ashtu që vjet shahistët kosovarë u pajisën me viza të Indisë dhe garuan në këtë vend në Olimpiadën e shahut. Por presioni nga Federata Ndërkombëtare e Shahut ishte më i madh se që është aktualisht nga IBA ndaj Indisë.
FBOXK të premten i ka nisur një tjetër letër IBA-së. E ka akuzuar direkt këtë federatë për diskriminimin e pashembullt që India po ia bën garueses kosovare.
“Si ndodhi që IBA lejoi një vend si India të organizojë Kampionatin Botëror, duke ditur që India është dënuar dhe nuk është lejuar të organizojë ngjarje të tilla për shkak të diskriminimit që na është bërë në vitet 2018 e 2019? Kemi qenë të sigurt që këtë vit nuk do të kemi problemin e njëjtë”, ka shkruar FBOXK në letrën që e ka dërguar të premten te Federata Ndërkombëtare e Boksit.
Federata kosovare ka bërë të ditur se do t’u shkruajë edhe të gjitha federatave nacionale, anëtare të IBA-s.
Shkëmbimi i letrave do të vazhdojë, por Donjeta Sadiku po rrezikon seriozisht të mbetet jashtë garës kryesore të vitit. Dhe kjo është tjetër goditje për karrierën e saj.
Jo vetëm India që shkakton telashe për viza. Së fundit atleti Alaudin Suma tha se Portugalia nuk i ka lëshuar vizë për të garuar në Kupën Evropiane të hedhjeve, që mbahet në fundjavë. Një tjetër atlet është tashmë në Portugali. Ndërkohë nga Federata e Karatesë kanë thënë se Spanja nuk ka lëshuar viza për të garuar në Evropian dhe se atje do të garojnë vetëm garues që kanë viza shengen të lëshuara nga vendet e tjera.
Por viktima më e madhe e diskriminimit deri më tani ka qenë Donjeta Sadiku. Dhe, në tri raste nga India.