Sport

Tite shpreson se Neymari do t’i harrojë telashet e klubit me Brazilin

Përzgjedhësi i Brazilit, Tite, dhe lojtarët e tij po bëjnë çmos për të ngritur moralin e Neymarit pas betejave të fundit të sulmuesit të Paris Saint-Germaini, ku ai është vërshëllyer nga tifozët e tij.

Neymari dhe Lionel Messi janë përballur të dy me kritika të rënda në Paris pas eliminimit të PSG-së nga Real Madridi në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Por, përpara dy ndeshjeve të fundit kualifikuese të Brazilit për Botërorin “Katari 2022”, trajneri Tite shpreson që Neymari të mund t’i harrojë problemet e klubit të tij dhe të rikthejë formën e tij më të mirë. Brazili është kualifikuar tashmë për turneun e këtij viti në Katar, që do të thotë se Neymari nuk do të përballet me të njëjtin nivel të kritikave edhe nëse nuk paraqitet mirë.

“Shumë futbollistë patën pengesa në klubet e tyre”, tha Tite. “Ndoshta, pritshmëritë rreth emrit të madh, yllit të madh, Neymar, janë më të dukshme. Por të gjithë përballen me presion në klubet e tyre. Dhe ne kemi presionin tonë te Brazili. Ne nuk do t’i bëjmë atij presion për një detyrë që tashmë është një përgjegjësi e madhe”.

Neymari mbetet ylli më i madh i Brazilit, por tifozët dhe mediat braziliane kanë filluar gjithashtu të vënë në dyshim nëse 30-vjeçari ka atë që duhet për ta udhëhequr Brazilin drejt titullit të gjashtë të Kupës së Botës në Katar. I pyetur vazhdimisht për gjendjen shpirtërore të Neymarit në konferencën për shtyp, Tite tha se “realiteti i klubit dallon prej atij në përfaqësuese”.

Por, ai nuk pranoi të zbulojë se si kanë qenë bisedat e tij të fundit me Neymarin.

“Këto janë gjëra shumë intime, gjëra të brendshme të dhomës së zhveshjes, private. Nëse një trajner i imi do t'i ekspozonte publikisht problemet e mia kur isha sportist, do t'i kërkoja të fliste fillimisht me mua”, tha Tite.

Dy nga seancat stërvitore të Brazilit përpara ndeshjes të së premtes kundër Kilit në stadiumin “Maracana”, sugjerojnë që Neymar do të luajë titullar, përkrah Vinicius Juniorit dhe Antonyt. Sulmuesit Matheus Cunha dhe Roberto Firmino, dy titullarë të shpeshtë që nuk do të jenë në Rio de Janeiro për ndeshjen, nuk kanë shënuar shumë gola për Brazilin kohët e fundit.

“Neymar ka pasur një strukturë në ekipin kombëtar për një kohë të gjatë, kështu që ai mund ta fuqizojë krijimtarinë e tij”, tha Tite. “Ajo që ne po kërkojmë është një harmoni, një ekuilibër që lojtarët tanë të jenë krijues përpara dhe më prapa të jenë të qëndrueshëm”.

Mesfushori Lucas Paqueta, një nga miqtë më të ngushtë të Neymarit te Brazili, gjithashtu i doli në mbrojtje sulmuesit.

“Ta kemi atë me ne është një privilegj. Kur kam Neymarin në krah, ndihem shumë më i fortë, po ashtu edhe shokët e skuadrës. Është e njëjta gjë për të kur është me Brazilin”, tha Paqueta. “Ne e motivojmë njëri-tjetrin më shumë, e mbajmë më shumë njëri-tjetrin, kjo na bën më të fortë”.

Ngjashëm sikurse Paqueta, foli edhe sulmuesi i krahut, Antony.

“Ne jemi të lumtur që kemi rikthyer Neymarin, ai është një lojtar i madh dhe një frymëzim për të gjithë ne”, tha Antony. “Ne e dimë se sa i mirë është ai dhe se kjo skuadër varet gjithashtu nga ai”.