Kur Neymari po përgatitej të luante për Brazilin në Kupën e parë të Botës, në vitin 2014, zhurma rreth tij ishte e konsiderueshme. Ai sapo ishte transferuar nga Santosi te klubi spanjoll, Barcelona, si një nga lojtarët e rinj më premtues në botë. Dhe, ai kishte lënë përshtypje që herët me klubin katalanas, duke fituar shpejt statusin e yllit në botën e futbollit.
Pyetjet e zakonshme që rrethonin Neymarin në atë kohë ishin se kur do të kurorëzohej më i miri në botë. Tetë vjet më vonë gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Braziliani mbetet një nga lojtarët më të mirë në botë, por ai nuk ka arritur t’i përmbushë plotësisht pritjet që erdhën gjatë lëvizjes së profilit të lartë në Evropë. Neymari humbi nga shkëlqimi pasi iu bashkua Paris Saint-Germainit në vitin 2017, dhe ka kohë që nuk është në konsideratë për çmimet e lojtarit më të mirë të vitit. Paraqitjet e tij me Brazilin në Kupat e Botës kanë zhgënjyer më së shumti që nga turneu i vitit 2014 në shtëpi, kur u bart me barelë për shkak të një dëmtimi të shpinës në çerekfinale.
Në Kupën e Botës 2018 në Rusi, Neymar u përkul në fushë dhe shikoi me mosbesim teksa lojtarët e Belgjikës festonin fitoren ndaj Brazilit në 1/8 e finales. Ai ishte vendimtar për Brazilin kur fitoi medaljen e parë të artë olimpike në Lojërat e Rio de Janeiros 2016, një sukses që u festua gjerësisht në mbarë vendin dhe i dha lavdërim të gjerë. Por në moshën 30-vjeçare, pyetjet rreth Neymarit përpara Kupës së Botës në Katar janë paksa të ndryshme. A bëri gabim duke u larguar nga Barcelona për t'iu bashkuar PSG-së? A është duke u lënë në hije nga Lionel Messi dhe Kylian Mbappe? A e ka kaluar kulmin e tij të karrierës?
Për Neymarin pyetja e vetme që ka vërtet rëndësi është nëse ai mund të kalojë me Brazilin dhe ta udhëheqë ekipin drejt titullit të parë të Botës në 20 vjet.
“Nuk dua të lejoj që ky Botëror të largohet nga unë”, tha Neymar. “Nuk dua ta lë këtë mundësi të më ikë nga duart. Unë kam bërë gjithçka që është e mundur për t'u përgatitur për të, fizikisht dhe mendërisht. Është ëndrra ime më e madhe për momentin. Jam i fokusuar në fitimin e këtij titulli”.
Kupa e Botës e këtij viti mund të nënkuptojë shpagim për Neymarin. Nëse Neymar gjen një mënyrë për ta udhëhequr Brazilin drejt titullit në Katar, emri i tij ka shumë të ngjarë të kthehet në krye të listave të çmimeve.
“Do të jap jetën time në Kupën e Botës”, tha Neymari në një bisedë me ish-mesfushorin e Brazilit, Diego Ribas. “Është një moment unik. Kam kaluar dy Kupa Botërore dhe tani e di se si funksionon. Gjithçka ndodh shumë shpejt dhe nëse nuk jeni 100 për qind të përgatitur, mundësia kalon pranë jush”.
Neymar, i cili si i ri tha se ëndrra e tij ishte të bëhej lojtari më i mirë në botë, është paraqitur mirë këtë sezon dhe është një nga liderët e PSG-së që shpreson të fitojë më në fund trofeun e parë të Ligës së Kampionëve. Ai hyn në Kupën e Botës, të cilën nuk e quan të fundit, si një nga lojtarët më në formë.
“Ai po fluturon tani”, tha trajneri i Brazilit, Tite.
Neymari me sa duket nuk është prekur nga gjyqi i fundit për mashtrim në lidhje me transferimin në vitin 2013 nga Santosi te Barcelona. Neymari dhe babai i tij janë ndër të akuzuarit për fshehjen e kostos reale të transferimit. Ai përballet me dënim me më shumë se dy vjet burg nëse shpallet fajtor, megjithëse disa nga akuzat kundër tij janë hequr.
Tite padyshim po mbështetet te Neymari për të marrë drejtimin dhe për të udhëhequr Brazilin në Katar, duke shpresuar se talenti i tij, dhe tani pjekuria e tij, më në fund do të bëjnë diferencën dhe do t’i japin ekipit një shans për të fituar titullin e parë të Kupës së Botës që nga viti 2002, kur Neymari ishte ende vetëm 10 vjeçar. Ai shpreson se në vend që të largohet nga fusha me barelë si në vitin 2014 ose të shikojë kundërshtarët të festojnë si në vitin 2018, t'ia sigurojë Brazilit trofeun e më të mirit në botë.