Golashënuesi më i mirë në histori të Brazilit, Neymar, tha se iu desh të duronte kritika të “pakuptimta”, derisa po rikuperohej nga lëndimet serioze. Ylli brazilian është i kënaqur që ka bërë gjithçka që mundet për të dëshmuar se është plotësisht në formë dhe meriton një vend në skuadrën e Carlo Ancelottit për Kupën e Botës.
Sulmuesi i Santosit nuk ka luajtur për Brazilin që nga viti 2023 për shkak të lëndimeve dhe një operacioni në gju që e la jashtë fushës për një vit.
“Fizikisht ndihem shumë mirë. Jam përmirësuar në secilën ndeshje. Kam bërë më të mirën, ndonëse nuk ishte e lehtë. E pranoj që nuk ishte e lehtë. Ishin vite të punës së madhe dhe gjithashtu të shumë gjërave të pakuptimta të thëna për gjendjen time dhe atë që po bëja. Është vërtetë e trishtueshme mënyra se si njerëzit flasin për këtë. Punova shumë, në heshtje, në shtëpi, duke vuajtur për shkak të asaj që thoshin njerëzit. Dhe gjithçka funksionoi”, ka theksuar Neymar.
Ai thotë se ka arritur në nivelin ku dëshironte të ishte. Neymari është i lumtur me paraqitjet dhe punën që e ka bërë.