Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ancelotti thotë se karriera e Neymarit te Brazili ka marrë fund

Carlo Ancelotti

Neymari nuk do të luajë më për ekipin përfaqësues të Brazilit në futboll, ka deklaruar përzgjedhësi Carlo Ancelotti në një intervistë për CNN.

“Ai e meritonte të ishte në Kupën e Botës për shkak të cilësisë. Neymar tashmë e ka konfirmuar se nuk dëshiron të kthehet në ekipin kombëtar. Neymar nuk mund të zëvendësohet sepse ai ishte një talent i jashtëzakonshëm dhe unik. Pra, një lojtar i pazëvendësueshëm”, ka thënë Ancelotti.

Ancelotti ka theksuar se Brazili në të ardhmen do të mbështet te lojtarët e rinj. 

“Mendoj se duhet të ecim hap pas hapi. Tani duhet të përqendrohemi te lojtarët e rinj që mund të jenë e ardhmja, lojtarët e lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Kemi lojtarë të rinj të lindur në vitin 2008 me shumë cilësi, të cilët nuk po luajnë ende, por që mund të luajnë. Tani është koha t’i shohim ata, duke marrë parasysh moshën e tyre dhe duke e respektuar atë. Është e vërtetë që një lojtar mund të luajë shumë mirë edhe në moshën 36 ose 37 vjeç. Tani është koha t’i japim përparësi të rinjve”, theksoi Ancelotti.

Neymar bëri gjithsej 130 paraqitje për Brazilin, duke realizuar 80 gola dhe 59 asistime. Në vitin 2013, ai fitoi Kupën e Konfederatave me Brazilin.