Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Grupi G: Neymari bashkohet me të rinjtë për suksesin e Brazilit në Botëror

Futbollisti i Brazilit, Neymar

Kur Brazili nisi të luajë në krahë me Vinicius Jr. dhe Raphinha gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës, Neymari befasoi trajnerin e tij duke lavdëruar bashkëlojtarët e rinj në sulm.

“Këta djelmosha janë të hatashëm shef”, i tha ylli i PSG-së selektorit Tite. “Janë të pamëshirshëm”, ka vazhduar sulmuesi.

Neymar, 30-vjeçar, është në formë të lartë në prag të Botërorit në Katar, por Brazili nuk varet shumë prej tij si katër vjet më parë. Selektori Tite ka aq shumë opsione në repartin ofanziv sa të paktën dy sulmues të top-klubeve evropiane do të mbesin jashtë.

Neymari pritet të luajë prapa sulmuesit të qendrës, pavarësisht nëse do të jetë Richarlison, Gabrile Jesus apo Roberto Firmino. Lojtarë të tjerë të shkëlqyeshëm, si aloja e Manchester Unitedit, Antony, mund të kenë hapësirë si startues apo si zëvendësues.

“Kemi numër të madh të lojtarëve që janë në rritje. Është e vështirë që nuk mund t’i marrim të gjithë”, ka thënë Tite. “Unë u them që të jenë në nivelin më të lartë në klubet e tyre dhe më pas do të shohim”.

Brazili do të takohet me Serbinë, Zvicrën dhe Kamerunin në grupin G të Botërorit në Katar.

Ndryshimet e Tites

Pavarësisht se çka ndodh në Katar, Tite do të largohet pas gjashtë vjetësh si selektor. Ai ka shpresuar të kompletojë një cikël për Kupë të Botës dhe e ka arritur këtë.

Për dallim nga Botërori i kaluar, Tite ka thënë se është i gatshëm që të bëjë më shpejt zëvendësimet gjatë turneut në Katar. Në Rusi ai mbajti Jesusin në ekipin bazë, ndonëse sulmuesi nuk shënoi në pesë ndeshjet e Brazilit.

Tite e di që Casemiro dhe Fred nuk po i kalojnë ditët më të mira te Manchester Unitedi. Fabinho dhe Bruno Guimaraes mund të marrin pozitat e tyre. Trajneri, po ashtu, e ka kuptuar që mbrojtësi Eder Militao mund të luajë si mbrojtës i djathtë, pozitë ku nuk ka shumë opsione. Ai ka lënë të kuptohet se nuk do të hezitojë t’i zëvendësojë Neymarin apo Viniciusin, nëse mendon se nuk po paraqiten në nivelin e duhur për skuadrën.

Problemet

Për herë të parë pas shumë vjetësh, Brazili nuk ka opsione të bollshme për mbrojtës të djathtë dhe mbrojtës të majtë. Danilo pritet të startojë si mbrojtës i djathtë, ndonëse te Juventusi ka luajtur rol më qëndror. Një opsion tjetër mund të jetë 39-vjeçari Dani Alves, që ka munguar në Rusi për shkak të një lëndimi. Alvesi ka rol lideri në ekip.

Pozita e mbrojtësit të djathtë do të jetë vendimtare pasi Tite dëshiron që 38-vjeçari Thiago Silva të luajë në qendër të mbrojtjes. Askush nuk e di sigurt se kush do të jetë mbrojtës i majtë te Brazili. Alex Sandro është favorit, por Tite e ka testuar edhe Alex Tellesin në atë pozitë. Asnjëri nuk ka profilin sulmues që Brazili e ka pasur kohë të gjatë me lojtarët e asaj pozite.

Numri nëntë

Brazili ka golashënues me karakteristika të ndryshme. Richarlison pritet të startojë nëse është plotësisht i gatshëm. Ai ka shënuar pesë gola në Lojërat Olimpike të Tokios, në rrugëtimin e Brazilit drejt të artës. Ka shtuar edhe gjashtë në kualifikimet e Amerikës Jugore. Opsioni i dytë i Tites duket të jetë Jesus, që ka shënuar shpesh për Arsenalin në Premier League këtë edicion. Ai është më i shpejtë se Richarlisoni, por edhe më i shkurtër se sulmuesi i Tottenhamit.

Brazili mund të luajë edhe me Firminon që ka kthyer formën te Liverpooli. Ai mund të luaj si nëntëshe falso. Neymari e ka luajtur atë rol për përfaqësuese, që do t’i mundësonte Lucas Paquetas apo Philippe Coutinhos të luajnë në pozitën e yllit më të madh.

Tite mund të befasojë duke përdorur sulmuesin e Flamengos, Pedro, në Botëror. Ai ka shënuar 12 gola në 12 ndeshje në Copa Libertadores.

Artikuj të ngjashëm