Ende pa Neymarin dhe tashmë me vendin e siguruar në 1/8 e finales, Brazili do ta përdorë ndeshjen e fundit të grupit në Kupën e Botës për t’iu dhënë hapësirë rezervistëve. Trajneri i Brazilit, Tite do të bëjë ndryshime pothuajse në çdo pozitë për ndeshjen kundër Kamerunit, të premten, në të cilën i mjafton barazimi për ta konfirmuar vendin e parë në Grupin G.
Ndeshja që nis në orën 20:00, do të thotë më shumë për Kamerunin, i cili ka nevojë për fitore që t’i mbajë shpresat gjallë për avancim nga grupi. Ka gjasa që as fitorja të mos i kryejë punë, pasi gjithçka do të varet nga rezultati i ndeshjes tjetër, mes Zvicrës dhe Serbisë.
Brazili ka gjashtë pikë, tri më shumë se Zvicra dhe pesë më shumë se Kameruni e Serbia. Kameruni po përpiqet të kalojë fazën e grupeve për herë të parë që nga arritja në çerekfinale në vitin 1990, kur skuadra e drejtuar nga sulmuesi Roger Milla u eliminua nga Anglia në kohën shtesë në turneun e mbajtur në Itali. Kameruni nuk u kualifikua në Botërorin e fundit në Rusi katër vjet më parë.
“Do të jemi të fokusuar dhe shumë të disiplinuar përgjatë 90 minutave. Dua të shoh një ekip të vendosur për t’i marrë tri pikët kundër Brazilit”, tha trajneri i Kamerunit, Rigobert Song, të enjten.
Afrikanët, të cilët startuan në Katar me humbje nga Zvicra dhe më pas barazuan me Serbinë, teorikisht mund ta fitojnë ndeshjen e fundit të grupit për shkak të gjitha ndryshimeve që priten te Brazili. Trajneri Tite ka planifikuar që për këtë ndeshje t’i përdorë vetëm rezervistët, duke filluar në portë me Edersonin, i cili do ta zëvendësojë Alissonin. Veterani Dani Alves do të luajë në mbrojtje, derisa Fabinho në mesfushë. Sulmit pritet t’i prijë dyshja Antony dhe Gabriel Martinelli.
“Brazili ka 26 lojtarë të nivelit shumë të lartë dhe në përgjithësi kemi një ekip fantastik”, insistoi Tite.
Fabinho ka pranuar se Tite tashmë u ka bërë me dije të gjithëve se ndaj Kamerunit do të aktivizohen lojtarët që ende nuk kanë luajtur në turneun e Katarit.
“Pas ndeshjes me Zvicrën, Tite na njoftoi për ndryshime të mëdha në ekip. Ai tha se dëshiron që të gjithë të luajnë dhe ne jemi të lumtur me vendimin që e ka marrë”, shtoi Fabinho.
Neymari, Danilo dhe Alex Sandro nuk do të përfshihen fare për shkak se janë të lënduar. Neymari po përpiqet të rikuperohet nga lëndimi që e pësoi në ndeshjen e parë ndaj Serbisë dhe nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për lojë. Ndryshimet në ekip mund të jenë të rëndësishme. Nëse Brazili del i pari në grup, atëherë ndeshjen e 1/8 së finales do ta luajë të hënën, vetëm tri ditë pas përballjes me Kamerunin. Brazili e mposhti Serbinë 2:0 dhe Zvicrën 1:0 në dy ndeshjet e para, ndërsa nuk lejoi asnjë tentim në portë të kundërshtarëve.
Alves 39-vjeçar do të bëhet braziliani më i vjetër që ka luajtur në Botëror, duke lënë prapa Thiago Silvan 38-vjeçar, i cili është kapiten i ekipit. Ndeshja e fundit e Alvesit në Botëror ishte ajo e 1/8 së finales të turneut të vitit 2014. Ai mungoi në Botërorin e Rusisë për shkak të lëndimit.
Brazili po synon ta fitojë grupin në Kupën e Botës për herën e 11-të rresht. Mund të përfundojë i pari edhe nëse mposhtet, varësisht nga rezultati i duelit tjetër që luhet në kohën e njëjtë. Brazili është i pamposhtur në 17 ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, me 14 fitore dhe tri barazime. E ka humbur vetëm një në 29 duelet e fundit të kësaj faze dhe atë në vitin 1998 nga Norvegjia.