Lojtarët e krahut, nëntëshet false dhe qendërsulmuesit në skuadrën e Brazilit për Kupën e Botës po ia shkaktojnë trajnerit Tite një dhimbje koke të këndshme përpara përzgjedhjes së 11-shes së parë.
Ndërsa pesë herë kampioni, Brazili, synon të fitojë titullin për herë të parë në 20 vjetët e fundit, Tite e di gjithashtu se sulmi brazilian ka përvojë të kufizuar në skenën më të madhe. Kjo është diçka që ai shpreson se do të kompensohet nga një bollëk aftësie, shpejtësie dhe agresiviteti për të shqetësuar - ose tmerruar - mbrojtjet kundërshtare.
Tite do të ketë gati një javë stërvitje në Torino të Italisë për të përcaktuar ekipin e tij. Nëntë sulmuesit në skuadrën prej 26 lojtarësh janë: Neymar, Vinicius Junior, Rodrygo, Richarlison, Raphinha, Antony, Gabriel Jesus, Gabriel Martinelli dhe Pedro.
Vetëm Neymar, nga Kupat e Botës 2014 dhe 2018, dhe Jesus, sulmuesi titullar i Brazilit katër vjet më parë në Rusi, kanë përvojë në turneun më të madh. Shtatë të tjerët do të bëjnë debutimin në Kupën e Botës në Katar.
Tite ka thënë se ka në plan të përdorë të nëntë sulmuesit e ftuar. Vendimi kryesor është se ku do të luajë Neymar, titullar i rregullt për 10 vjet. Trajneri është prirë drejt një formacioni me Neymarin duke marrë një rol të mesfushës në mbështetje të sulmit. Me Neymarin si mesfushor-sulmues, formacioni fillestar më i mundshëm i Brazilit ka të përfshirë Viniciusin në të majtë, Richarlisonin si më të avancuar dhe Raphinhan në të djathtë. Shumë presin që ky të jetë opsioni i zgjedhur në ndeshjen hapëse kundër Serbisë më 24 nëntor. Në Grupin G, ku luan Brazili, janë edhe Zvicra dhe Kameruni.
Edhe
Norvegjia mbështetet te Haalandi ndaj Brazilit
Alternativa do të ishte vendosja e Lucas Paquetas në të majtë, në një pozicion ku ai mund të lëvizte në mesfushë. Kështu ndodhte shpesh në kualifikimet e Kupës së Botës, por Brazili do të zgjidhte një lojtar që po shërohet nga një dëmtim në shpatull përpara Viniciusit, i cili shënoi golin e fitores për Real Madridin në finalen e Ligës së Kampionëve këtë vit.
“Brazili ishte shumë i parashikueshëm për një kohë për shkak të varësisë nga Neymari”, tha ish-lojtari i Brazilit, Zico. “Tani ai është vetëm qershia mbi tortë, djali që do të japë diçka ekstra. Brazili ka lojtarë të tjerë përpara. Shumë lojtarë”.
Richarlison, i cili ka shtatë gola për Brazilin në shtatë ndeshjet e tij të fundit ndërkombëtare, ka të ngjarë të ketë Neymarin pas tij. Vinicius - ose Paqueta - dhe Raphinha do të lejohen të përqendrohen në aftësitë e tyre sulmuese sepse mbrojtësit e mundshëm të majtë dhe të djathtë, Alex Sandro dhe Danilo, pritet të luajnë më shumë në defansivë.
Nëse Vinicius dhe Raphinha nuk bëjnë diçka, atëherë nga stoli do të inkuadrohen Martinelli dhe Antony. Jesus dhe Rodrygo mund të luajnë gjithashtu në krahë. Nëse Paqueta është titullar dhe lufton, Tite mund të luajë ende me Viniciusin ose Martinellin të pushuar.
Skuadra e Tites ka në pritje tre lojtarë nëse Richarlison dështon. Jesus është përmirësuar si finalizues që nga turneu në Rusi dhe është mjaft i shkathët për të hapur boshllëqe dhe për të shfrytëzuar mesfushorët si Fred dhe Bruno Guimaraes. Rodrygo mund të bëjë të njëjtën gjë, ndërsa Pedro ishte golashënuesi më i mirë në Copa Libertadores të fundit.
Pedro, i cili shënoi 12 gola në 13 ndeshje për kampionin Flamengo, mund të përfundojë si sulmuesi kryesor i Brazilit gjatë Kupës së Botës. Tite ka lavdëruar më parë stilin “unik” të lojtarit dhe tha se ai ka një aftësi për të “ndjekur të menduarit e shpejtë të mesfushorëve”.
Përvoja mund të ndikojë gjithashtu në futjen e Jesusit në formacionin startues, kur turneu kalon në fazën e eliminimit nëse Brazili, siç pritet, del nga grupi. Katër vjet më parë, Jesus nuk arriti të shënonte në Rusi, por thotë se është gati të ndikojë këtë herë në ekip.
Edhe
Vinicius i prin sulmit të Brazilit, Neymar në stol
Shumë ishin të mërzitur që Roberto Firmino i Liverpoolit, Matheus Cunha i Atletico Madridit dhe Gabriel Barbosa i Flamengos nuk u zgjodhën për Katar. Ndërsa ish-sulmuesi i madh i Brazilit, Ronaldo, i cili shënoi të dy golat kundër Gjermanisë në finalen e Kupës së Botës 2002, tha se sulmuesi 16-vjeçar Endrick i Palmeirasit duhej të ishte përzgjedhur.
“Nëse do të mund të merrja një, thjesht për të qenë pjesë ekipit, me pak shanse për të luajtur realisht, do të merrja Endrickun”, tha Ronaldo. “Do të ishte një eksperiencë e bujshme për të dhe për të ardhmen e përfaqësueses”.