Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Neymari i heshtur para përballjes me Serbinë

Sulmuesi Neymar nuk ka folur asnjë fjalë publikisht që nga mbërritja në Kupën e Botës. Dhe ai nuk është dashur të flasë. Kjo sepse synimet e tij janë të qarta. Ylli i Paris Saint-Germainit u sigurua për këtë kur postoi një foto në rrjetet sociale iu referuar një titulli të gjashtë të Kupës së Botës, synim të cilin e ka ekipi nga Amerika e Jugut.

"Kjo është ëndrra jonë”, tha sulmuesi brazilian Richarlison. “Neymar e postoi atë foto sepse është edhe ëndrra e tij. Ai dëshiron ta fitojë atë dhe ne e dimë se sa i gatshëm është ta fitojë atë”.

Kjo është ndjenja e përgjithshme: fati i Brazilit varet nga forma dhe gjendja mendore e Neymarit. Ndeshjen e parë në Grupin G, Brazili e luan kundër Serbisë të enjten prej orës 20:00. Neymar hyn në formë të mirë në Botëror pas një serie lëndimesh që nga Kupa e Botës 2018 – kur Brazili u mund nga Belgjika në çerekfinale. Problemi i tij i vetëm deri më tani ishte shfaqja me një ditë vonesë në kampin stërvitor të Brazilit në Torino, Itali, për shkak të një telashi me fluturimin e tij.

“Neymari është në formë jetësore dhe këtë herë është përgatitur mirë. Të gjithë lojtarët do ta ndihmojnë Neymarin, pasi duan ta ndajnë përgjegjësinë dhe të krijojnë hapësira për të. Ne jemi mësuar me presion dhe jemi të gatshëm për ta dëshmuar veten. Duam të startojmë me fitore”, tha kapiteni i Brazilit, Thiago Silva. “Formën e Neymarit do ta shfrytëzojmë si avantazh”.

Trajneri i Brazilit Tite duhet të ketë të gjithë lojtarët e tij në dispozicion për ndeshjen hapëse. Dyshimi i vetëm është nëse ai do të luajë me mesfushorin Lucas Paqueta ose një ekip më sulmues, me Vinicius Juniorin së bashku përpara me Neymarin.

“Ne jemi serioz në synimin tonë për të fituar dhe do ta bëjmë të pamundurën për të arritur një gjë të tillë”, ka thënë Tite, i cili pas Botërorit do të largohet nga Brazili.

Serbia, ndërkohë, synon të avancojë nga faza e grupeve për herë të parë në paraqitjen e saj të katërt në Kupën e Botës. Gjithashtu, nuk ka arritur të kualifikohet në Kampionatin Evropian në pesë tentime. Shumë nga lojtarët e Serbisë ishin në ekipin që mundi Brazilin për ta ngritur trofeun e Kupës së Botës për gjeneratën U20 në vitin 2015; si dhe në fitoren ndaj Francës në finalen e Kampionatit Evropian U19 dy vjet më parë. Por Aleksandar Mitroviq, Sergej Milinkoviq-Saviq, Nemanja Maksimoviq dhe Andrija Zhivkoviq, të cilët ishin në ato ekipe, nuk kanë arritur të riprodhojnë të njëjtin sukses edhe në nivelin senior për Serbinë. Lojtari kryesor pritet të jetë sulmuesi Dushan Vlahoviq, i cili ka shënuar 50 gola në të gjitha garat për Fiorentinën dhe Juventusit gjatë dy sezoneve të fundit. Megjithatë, mbetet të shihet nëse mbrojtja e Serbisë do të mund t’i përballojë sulmet e Brazilit. Në Katar, Brazili ka në dispozicion nëntë sulmues në listën prej 26 lojtarëve: Neymar, Rodrygo, Richarlison, Antony, Gabriel Jesus, Gabriel Martinelli, Pedro, Raphinha dhe Vinicius. Brazili mposhti Serbinë 2:0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2018.

“Lojtarët janë më të pjekur tani. Ata kanë luajtur në Kupën e Botës më parë dhe kanë përvojë”, tha trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq. “Ne kemi një grup të vështirë, një nga më të vështirët, por në fund të ditës kjo është një sfidë për të gjithë ne që të tregojmë se mundemi të luajmë dhe të matemi më të gjithë. Synimet janë të larta”.

Pjesë e këtij grupi, janë edhe Zvicra e Kameruni.

Artikuj të ngjashëm