Përzgjedhësi i Brazilit, Tite, ka aq shumë opsione në sulm për Kupën e Botës saqë vështirë se mund të vendosë gjysmën e tyre në ekip. Ai premton të përdorë sa më shumë nga sulmuesit e tij në Katar, pa marrë parasysh kundërshtarin.
“Do të ketë mundësi për të gjithë sulmuesit e Brazilit” tha Tite. “Kushdo që luan, besoj se do ta vendosë ndeshjen, të gjithë duhet të jenë të përgatitur. Çdo ndeshje mund të kërkojë një karakteristikë tjetër”.
Tite dhe asistentët e tij, Cleber Xavier dhe Cesar Sampaio, ka kohë që kanë nisur diskutimet e tyre të nxehta për atë se me cilin sistem do të luajnë në Botëror, cilët futbollistë do t’i përdorin dhe cilët do t’i përfshijnë në listën përfundimtare.
Shpallja e ekipit është planifikuar për 7 nëntor. Sulmuesi i vetëm brazilian që mund të jetë i sigurt për një vend startues në Katar është Neymar, ndërsa lista e opsioneve të tjera të Tites përfshin lojtarë si Vinicius Junior, Raphinha, Richarlison, Antony dhe Gabriel Jesus. Në ndeshjet e fundit, dy fitoret në miqësore ndaj Ganës dhe Tunizisë në shtator, Tite paraqiti formacione që ishin aq shumë sulmuese, saqë kritikët në Brazil pyesnin nëse kjo do të ishte një strategji realiste kundër disa prej përfaqësueseve tjera që janë favorite për të triumfuar në Botëror, turne që nis në fund të muajit nëntor.
Tite, i cili do të largohet pas turneut, këmbënguli se nuk do të shmanget nga stili i tij agresiv i lojës në Katar, pavarësisht se me kë luan Brazili. Brazili është në Grupin G në Kupën e Botës me Serbinë, Zvicrën dhe Kamerunin.
“Ne do të bëjmë përmirësime, por nuk do të ndryshojmë planin tonë të lojës”, tha Tite. “Ne do të imponojmë mënyrën tonë të lojës ndaj secilit kundërshtar”.
Brazili mund të ketë nevojë për shumë gola në Katar pasi Tite nuk ka aq shumë opsione në repartin e mbrojtjes. Ai ka pak mbrojtës të klasit të lartë për momentin, ndërsa qendërmbrojtësi kryesor Thiago Silva është 38 vjeç. Mesfushori defensiv, Casemiro, gjithashtu nuk është përshtatur plotësisht me mjedisin e tij të ri te Manchester Unitedi pas largimit nga Real Madridi. Tite nuk mendon se mbrojtja e tij do të jetë problem, për sa kohë që lojtarët e tij bëjnë një gjë.
“Nëse ata angazhohen dhe luajnë mirë, atëherë nuk do të kemi as problemin më të vogël. Mua nuk më interesojnë kritikat që marrin lojtarët, pasi është e rëndësishme të angazhohen në fushë”, insistoi Tite. “Ne dëgjojmë shumë pak zhurmën që vjen nga jashtë. Ajo që është jashtë mbetet jashtë”.
Neymari, ashtu si Lionel Messi i Argjentinës, po përballet me presion të madh për ta fituar titullin e tij të parë në Kupën e Botës – veçanërisht pasi u kritikua për paraqitjet e dobëta që i pati në turneun e vitit 2018 në Rusi. Tite mendon se 30-vjeçari Neymar është pjekur edhe si lojtar edhe si person që nga atëherë. Sulmuesi ka qenë në formë të mirë këtë sezon me Paris Saint-Germainin.
“Kur Neymar thotë se në një moment të caktuar ka bërë një gabim, atëherë kjo është bukur dhe dëshmon pjekurinë e tij. Ai nuk është supernjeri, dhe për këtë arsye nuk duhet t’i bëjmë presion”, u shpreh Tite. “Jam i kënaqur me formën e tij këtë edicion dhe shpresoj që këtë formë ta ketë edhe në Katar, pasi kemi nevojë për golat e tij”.
Po ashtu Tite po përpiqet ta mbrojë yllin nga presioni, duke minimizuar krahasimet me Pelen, pasi Neymar i afrohet rekordit të 77 golave të legjendës braziliane për përfaqësuesen.
“Ai nuk duhet t’i dëgjojë se çka flasin të tjerët. Nuk ka krahasim. Është joreale, çnjerëzore, të krahasosh breza të ndryshëm”, tha Tite. “Nuk mund ta krahasosh Pelen me asnjë tjetër”, shtoi selektori.
Ndihmësit e Tites kanë shpenzuar shumë kohë gjatë viteve të fundit duke studiuar se çfarë bënë tre fituesit e fundit të Kupës së Botës - Franca, Gjermania dhe Spanja - për t'u përgatitur sa më mirë për turneun e Katarit. Shumë e shohin Brazilin dhe Argjentinën ndër favoritët më të mëdhenj këtë herë, pasi Franca po lufton me lëndime të lojtarëve, ndërsa Gjermania dhe Spanja po kalojnë një fazë rindërtimi.
“Ne po shpenzojmë pjesën më të madhe të energjisë sonë në punën tonë, procesin tonë”, tha Xavier. “Ne e dimë se Argjentina ka një ekip pothuajse të kompletuar, dhe Brazili gjithashtu. Ne shohim Anglinë, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën me disa ndryshime. Ne do ta dimë me siguri se si duken ata vetëm pas fazës së grupeve të Kupës së Botës”.
Ndërsa Kupa e Botës afrohet dhe raportet grumbullohen në tavolinën e tij, orari i Tites dominohet nga takimet me asistentët, ndërsa kërkesat e mediave për intervista i vijnë çdo minutë. Trajneri 61-vjeçar po bën të pamundurën për të vazhduar pa presion, sikur këto të ishin ditë normale pune.
“Unë shqetësohem vetëm kur njerëzit më pyesin se sa ditë kanë mbetur për ndeshjen tonë të parë”, tha Tite. “Kjo ndodh çdo ditë”.