Londër, 16 janar – Tifozët mbetën të habitur derisa shikuan trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta, derisa ndiqte Granit Xhakën, për të penguar atë që të përplaset me lojtarët e Tottenhamit. Kjo ndodhi pas ndeshjes së luajtur të dielën mbrëma. Arsenali shënoi fitore të madhe dhe bëri hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit.
Arsenali fitoi 2:0 në stadiumin e Tottenhamit. Një autogol i Hugo Lloris dhe goli i mesfushorit Martin Odegaard, vendosën sfidën e Londrës.
Situata u tensionua pas ndeshjes. Portieri i Arsenalit, Aaron Ramsdale pati një përplasje me Richarlisonin, para se të goditej nga një tifoz i Tottenhamit.
Kjo bëri që lojtarët e të dy skuadrave të përfshihen, duke detyruar Artetan të ndërhyjë për të larguar lojtarët e tij, shkruan Daily Mail.
Ai mund të ketë menduar se ia doli para se ta shihte Granit Xhakën duke u kthyer për përballje tjetër. Xhaka është i njohur edhe për ballafaqimin me lojtarët e skuadrave kundërshtare.
Trajneri i Arsenalit, Arteta, ka parashikuar se çfarë mund të ndodhte dhe vazhdoi të vraponte pas mesfushorit. E ka tërhequr atë, derisa mundohej të buzëqeshte.
Videoja shpejtë bëri xhiron në rrjetet sociale, ndërsa nuk kanë munguar komentet interesante nga tifozët e Arsenalit.
“Më pëlqen se si Arteta e ndjekë Xhakën për ta ndalur atë që të luftojë me të gjithë”, ka shkruar një tifoz.
“Ju e dini se Xhaka do të bëj ndonjë budallallëk nëse e detyron Artetan të vrapojë ashtu”, ka shkruar një tjetër.
“Kjo më ka ‘mbytur’ për disa orë. Të gjithë e kanë një shok si Xhaka”.
Xhaka ka kthyer besimin e tifozëve të Arsenalit dhe po shfaq nivel të lartë në kampanjën që besohet se do të përfundojë me titull të kampionit të Anglisë.