Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Granit Xhaka i bën sërish të gjithë për vete tek Arsenali

Arsenali është në moment të mirë. Në moment shumë të mirë është edhe Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar sërish po e ndien përkrahjen e klubit e edhe të tifozëve, që është më e rëndësishme.

Tifozët e Arsenalit, që i kishin fishkëllyer Xhakës më parë, të dielën kanë thirrur emrin e mesfushorit pas fitores 3:0 ndaj Brentfordit. Arsenali ishte mysafir, ndërsa shënoi fitore bindëse. Ishte fitorja e gjashtë e Arsenalit prej shtatë ndeshjeve të deritashme. Udhëheq në tabelë në Premier League me 18 pikë.

William Saliba, Gabriel Jesus dhe Fabio Vieira shënuan golat për fitoren e Arsenalit. Xhaka asistoi, ndërsa ishte edhe kapiten e po ashtu lider i skuadrës në fushë. Për këtë ka folur edhe trajneri Mikel Arteta pas ndeshjes.

Xhaka ka luajtur në të gjitha shtatë ndeshjet, ndërsa vetëm njërën nuk e ka kompletuar duke u zëvendësuar në minutën e 87-të. Tashmë i ka tri asistime e një gol.

Trajneri i Arsenalit, Arteta, ka pranuar se Xhaka është përmirësuar shumë.

“Ka të bëjë me konsistencën e tij dhe mënyrën se si paraqitet çdo ditë. Me atë që ka mësuar në momente të ndryshme në karrierën e tij, qoftë këtu në skuadër apo në Përfaqësuese. Gjithashtu ka të bëjë gatishmëria e tij për të qëndruar gjithmonë i përulur, që të shikojë para dhe të mundohet të bëhet më i mirë. Dhe kur i bëni këto natyrisht se gjëra të mira ndodhin”, ka thënë Arteta në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Trajneri spanjoll është pajtuar që Xhaka ishte lider të dielën. Ai ishte edhe kapiten i skuadrës.

“Ai edhe po kërkonte të jetë lider. Unë mendoj se Xhaka tani i ndien dashurinë dhe respektin në të dy mënyrat. I keni parë tifozët tanë se si i këndonin edhe atij. Në aspektin emocional kjo bën që të angazhohet edhe më mirë. Jam vërtet i lumtur për të, pasi për mendimin tim ai vërtet e meriton”, ka shtuar Arteta.

Edhe bashkëlojtarët po e vlerësojnë Xhakën. Pas asistimit për Gabriel Jesusin, braziliani në mënyrë simbolike ka lustruar këpucët e futbollit të Xhakës.

Vlerësimet ishin pozitive për Xhakën edhe nga analistët e ish-futbollistët.

Ylli i dikurshëm i Holandës, Nigel de Jong, ka shkruar: “Asnjëherë nuk isha fansi më i madh, por Xhaka është lojtar i ndeshjes. Ai me të drejtë po e mban shiritin e kapitenit”.

Gabriel Jesus ka thënë se është i lumtur që luan në një ekip me Xhakën.

“Ai shpesh tallet se dëshiron të përmirësojë numrin e asistimeve. Për këtë më pason topin shpesh. Jam shumë i lumtur që luaj me të. Ai është lojtar inteligjent dhe kualitativ. Pasimi ishte i mirë dhe unë vetëm është dashur ta dërgoja topin në rrjetë”, ka thënë Jesus.

Tifozët e Arsenalit janë ndarë të kënaqur edhe për golin e Fabio Vieiras e po ashtu me aktivizimin e Ethan Nwanerit. Ai ka thyer rekordin e Premier Leagues si lojtari më i ri që është aktivizuar në një ndeshje. I ka vetëm 15 vjet e 181 ditë.

Artikuj të ngjashëm