Granit Xhaka ka gjasa të mëdha t’i mungojë Arsenalit në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit në Premier League.
Mesfushori 30-vjeçar nuk është rikuperuar ende plotësisht nga lëndimi që e la jashtë ndeshjes me Southamptonin dhe ai mund të mos paraqitet as në duelin kundër Manchester Cityt.
Paraqitjen e Xhakës në këtë derbi e ka lënë në dyshim edhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta të martën në konferencën për shtyp. Arteta ka insistuar se Xhaka është shqetësimi i tij i vetëm për duelin me Cityn, i cili zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Etihad Stadium”.
“Graniti ka qenë jashtë fushës dhe shpresoj të jetë në gjendje të luaj, por ai mbetet në dyshim”, ka thënë Arteta.
Xhaka këtë sezon është njëri prej lojtarëve kyçë tek Arsenali që po lufton për titullin e kampionit të Anglisë. Ai ka shënuar 5 gola e ka bërë po aq asistime në 31 ndeshje të luajtura në kampionat.
Aktualisht, Arsenali prin në tabelë me 75 pikë të mbledhura, pesë më shumë se City që është i dyti, por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.