Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur në superlativ për Granit Xhakën pas fitores 1:0 ndaj PSV-së, të enjten mbrëma. Arsenali fitoi me golin e Xhakës në pjesën e dytë.
Kosovari ishte kapiten i skuadrës në mungesë të Martin Odegaardit. Xhaka ishte lojtar i ndeshjes.
“Ai e meriton këtë”, ka thënë Arteta në konferencë për shtyp.
“Ai është përballur me fatkeqësi në momente të vështira. Është ngritur kur ka pasur të bëj diçka ndryshe. Etika e tij e punës, çfarë personi është, mënyra se si i trajton të gjithë përreth klubit dhe dashuria e tij për klubin dhe profesionin është e padiskutueshme. Ai e meriton plotësisht këtë dhe jam i lumtur ta shoh që e shijon karrierën”, ka shtuar trajneri i Arsenalit.
Ishte goli i tretë i Xhakës këtë edicion. Arteta pret gola të tjerë prej tij.
“Ne besojmë se ai ka kualitetin për të bërë këtë. Ndonjëherë ka të bëjë thjeshtë me zhbllokimin e diçkaje në mendjen e lojtarëve, që të jenë më të hapur dhe më të pranueshëm për të gjitha gjërat. Ai ka qenë jashtëzakonisht i hapur dhe niveli i punës së tij për të mësuar është fantastik. Dhe kjo po shpërblehet tani”, ka theksuar Arteta.