Goli i Theo Hernandez kundër Marokut të mërkurën e çoi Francën në rrugën e saj drejt një finaleje të dytë radhazi të Kupës së Botës. Por, mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse vëllai i tij nuk do të ishte lënduar disa minuta pas ndeshjes së parë të turneut për Francën. Lucas Hernandez dëmtoi ligamentet e gjurit në fitoren hapëse 4:1 të Francës ndaj Australisë, duke lënë jashtë fushe mbrojtësin e Bayern Munichut për disa muaj. Lucasi u lëndua në minutën e dhjetë dhe u zëvendësua me Theon, i cili është i pazëvendësueshëm tani te Franca. Pas ndeshjes Franca konfirmoi se shkaku i lëndimit të rëndë Lucasi e ka humbur Botërorin. Goditja e lëndimit të Lucasit erdhi disa ditë pasi Franca e humbi fituesin e “Topit të Artë”, Karim Benzema shkaku i një problemi në kofshë, me trajnerin Didier Deschamps, i privuar tashmë nga mesfushorët e parë Paul Pogba dhe N'Golo Kante. Por, këto lëndime mund të kishin qenë një bekim për Deschampsin, i cili hoqi dorë nga eksperimenti i tij me një mbrojtje me tre lojtarë dhe u rikthye në një formacion 4-3-3 pak para Kupës së Botës në Katar. Ndërsa Lucas Hernandez filloi çdo lojë në kampanjën e Francës për fitoren e Kupës së Botës 2018, Theo është më i natyrshëm në krahun e majtë se vëllai i tij, i cili është një qendërmbrojtës i krahut të majtë. I votuar si pjesë e ekipit të sezonit të Serie A tri herë radhazi, Theo Hernandez ndihmoi Milanin t'i jepte fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit sezonin e kaluar. Duke luajtur pas Kylian Mbappes në të majtë te Franca, ai i jep skuadrës fuqi shtesë në sulm - duke kontribuar me dy asistime në fazën e grupeve, por ndonjëherë është ekspozuar edhe në mbrojtje. Theo, 25 vjeç, i cili dikur mendonte të luante për Spanjën, nuk bëri debutimin e tij ndërkombëtar deri në shtator të vitit 2021, por ai shënoi golin e fitores vetëm në ndeshjen e tij të dytë. Ai u fut brenda dhe mbeti jashtë ekipit përpara se të fitonte një mundësi në Katar për shkak të fatkeqësisë së vëllait të tij. I kritikuar për penalltinë që e shkaktoi ndaj Anglisë në çerekfinale, të cilën Harry Kane e shënoi, Hernandez iu kundërpërgjigj kritikëve ndaj Marokut. Ai shënoi golin e epërsisë për Francën në minutën e pestë të ndeshjes që u luajt të mërkurën. Më i shpejtë për të reaguar ndaj një devijimi nga gjuajtja e Mbappes, ai përfundoi aksionin me mjeshtëri duke kaluar topin prapa portierit Yassine Bounou për të vënë Francën përpara dhe për të mbyllur gojën e turmës që pro-Marokut në stadium.
“Isha vetëm. Pashë që Kylian donte të gjuante, pati një devijim dhe u hodha për të shënuar”, shpjegoi Hernandez situatën e golit të tij.
Zëvendësuesi Randal Kolo Muani dyfishoi epërsinë e Francës në minutën e 79-të, duke ia dhënë ekipit kalimin e qetë në finalen e turneut të Katarit. Skuadra e Deschampsit tani ka shansin të bëhet ekipi i parë në 60 vjet që mbron me sukses titullin e Kupës së Botës.
“Jam krenar që kam fituar ndeshjen dhe është një moment shumë krenar për që kam shënuar golin”, tha Hernandez. “Është e mrekullueshme të luash dy finale radhazi të Kupës së Botës, ne kemi bërë një punë të shkëlqyer”.
Por detyra e Theos do të bëhet më e vështirë, kur Franca të përballet me Lionel Messin dhe Argjentinën të dielën.
“Është një ndeshje e madhe. Ne do të punojmë shumë për të fituar finalen”, tha Hernandez, i cili zbuloi se vëllai i tij, duke parë nga Munihu, i kishte telefonuar për ta uruar pas ndeshjes. “Gjëja më e rëndësishme tani është të rikuperohemi mirë në katër ditët e ardhshme dhe të jemi gati për finalen. Argjentina nuk është vetëm Messi, ata kanë shumë lojtarë, ata janë një ekip i madh”.