Gareth Bale po vrapon dhe po shënon që nga kthimi në Real Madrid, dhe forma e tij është një nxitje për Përfaqësuesen e Uellsit para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, ka thënë përzgjedhësi Robert Page. Bale është kthyer në formacionin bazë të Real Madridit dhe është njëri prej lojtarëve kryesorë të trajnerit të ri, Carlo Ancelotti. Ai edicionin e shkuar luajti i huazuar te Tottenhami, për shkak se nuk bënte pjesë në planet e paraardhësit të Ancelottit, Zinedine Zidane. Bale shënoi të dielën e shkuar për Realin në barazimin 3:3 kundër Levantes. Ky ishte goli i tij i parë në La Liga për klubin që nga muaji shtator i vitit 2019. Forma e tij e mirë ka ardhur pikërisht në kohën më të duhur për Uellsin, i cili muajin tjetër luan miqësoren me Finlandën, përpara se të përballet me Bjellorusinë e Estoninë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit të ardhshëm. Uellsi e nisi kampanjën për Botërorin me humbje 3:1 në udhëtim nga Belgjika që edhe është favorite e grupit, përpara se ta mposhtte 1:0 Çekinë në muajin mars.
“Duhet të japësh më të mirën dhe të luash për klubin tënd. Dhe, nuk ka asnjë dyshim që Bale këtë edicion po e bën për Realin. Ai po tregohet fantastik dhe ky është një lajm i mirë për ne”, tha përzgjedhësi i Uellsit, Page. “Ai tani ka një trajner, i cili ka qenë i impresionuar në atë që ka bërë në ndeshjet parasezonale dhe Kampionatin Evropian”.
E gola prej Balet pritet edhe muajin e ardhshëm. Page është përkohësisht në krye të Uellsit duke e zëvendësuar Ryan Giggsin, i cili po përballet me gjyqin, për shkak të akuzave për sulm dhe të sjelljeve agresive ndaj së dashurës së tij.
“Fatmirësisht, Bale pati një ndikim pozitiv te trajneri i ri dhe e filloi sezonin në formë të mirë. Ai po shënon gola, gjë që është e mrekullueshme për ne”, është shprehur Page.
Krahas Balet, përzgjedhësi Page është i kënaqur edhe me formën e një ylli tjetër të Uellsit këtë edicion, mesfushorit të Juventusit, Aaron Ramseyt. Ai pranon se Bale dhe Ramsey pritet ta udhëheqin Uellsin në ndeshjet e muajit tjetër.
“Edhe Ramsey po luan mirë dhe po e ka besimin e trajnerit të ri te Juventusi”, ka shtuar Page.
Edhe
Uellsi do ta ketë ndihmën e Bales në kualifikimet për “Euro 2024”
Ata nuk kanë luajtur së bashku në një ndeshje kualifikuese qëkur Uellsi mundi Hungarinë për t'u kualifikuar në “Euro 2020” në nëntor të vitit 2019, kryesisht për shkak të problemeve të dëmtimit të mesfushorit të Juventusit.
“Ata ishin të jashtëzakonshëm duke punuar së bashku kundër Hungarisë dhe e treguan atë përsëri në Evropian”, tha Page për dyshen që udhëhoqi Uellsin deri në 1/8 e finales. “Ata janë në formë të mirë duke ardhur në këtë kamp, i cili është vërtet i kënaqshëm për mua dhe mbështetësit e Uellsit. Ne duam që lojtarët tanë të luajnë futboll vazhdimisht nga java në javë. Unë nuk jam i befasuar pas turneut që ata kanë pasur e që ata janë kthyer dhe e kanë filluar sezonin mirë në klubet e tyre”.