Trajneri i Përfaqësueses së Uellsit, Rob Page, dëshiron që Gareth Bale të qëndrojë i përfshirë në ekipin e tij për ndeshjet ndërkombëtare, edhe pse sulmuesi të hënën njoftoi tërheqjen nga futbolli aktiv.
Të martën Page ka thënë se llogarit në Balen, i cili ishte kapiten i Uellsit. Bale ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve me skuadrën e Real Madridit. Ai i dha fund një karriere të madhe gjatë së cilës regjistroi 111 paraqitje dhe shënoi 41 gola për përfaqësuesen, që janë rekorde tek Uellsi.
Vendimi i 33-vjeçarit për t'u larguar nga futbolli aktiv erdhi pas paraqitjes zhgënjyese të Uellsit në Kupën e Botës në Katar, ku përfaqësuesja e trajnerit Page nuk arriti të avanconte nga faza e grupeve. Bale pati vështirësi fizike për shkak të mungesës së ndeshjeve.
Selektori Page zbuloi se Bale e kontaktoi të dielën për ta informuar për vendimin për t'u tërhequr nga futbolli dhe tha se ishte në koordinim të plotë me kapitenin. Mirëpo Page është optimist se sulmuesi do të jetë në një mënyrë pjesë e Përfaqësueses uellsiane për ndeshjet ndërkombëtare, në veçanti për kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2024, i cili do të mbahet në Gjermani.
“I thashë se mendoj që është koha e duhur për t’u larguar në këtë mënyrë dhe me kokën lart”, tha Page për BBC. “Po ashtu, i thashë se sapo ke shënuar gol në Kupë të Botës dhe ke gjithçka në CV-në tënde. I thashë, po ashtu, se ajo që ke bërë për Uellsin është edhe e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme”.
Përfaqësuesja e Uellsit nis kampanjën kualifikuese për “Euro 2024” në fund të muajit mars dhe Page konfirmoi se Bale, i cili së fundmi ishte pjesë e ekipit nga MLS, Los Angeles, do të jetë i përzgjedhur për ndeshjet me Kroacinë dhe Letoninë. Këto ndeshje i takojnë Grupit D dhe do të zhvillohen më 25 e 28 mars. Bale, sipas të gjitha gjasave, do të ketë rol të lojtarit të ulur në bankën e rezervistëve për të pasur ndikim në ekip.
“Unë i tregova se do ta përfshij në skuadër për dy ndeshjet e para, ndërsa ai u shpreh se është tejet i emocionuar dhe nuk pati një përgjigje të menjëhershme për ta refuzuar këtë mundësi. I thashë se prania e tij në stol do të jetë e mirëseardhur për futbollistët e rinj, në veçanti Brennan Johnsonin”, është shprehur Page. “Vetëm në këtë mënyrë, duke e përfshirë Garethin në ekip për këtë cikël kualifikues, mund ta nxjerrim në skenë Balen e ardhshëm tek Uellsi. Nuk do të jetë emocionuese vetëm për të, por edhe për ne për shkak se mund ta shohim për herën e fundit yllin e ekipit të veshur me uniformën e Uellsit. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe jam i bindur se prania e tij do të na ndihmojë shumë”.
Edhe
Përzgjedhësi i Uellsit thotë se Bale duhet të trajtohet me kujdes të veçantë
Page shtoi se ka folur në detaje me Balen për këtë çështje, por të cilat nuk deshi t’i zbulojë. Ai pranoi se Bale sipas të gjitha gjasave nuk do të luajë më për Uellsin, por është shprehur i gatshëm për ta ndihmuar ekipin në forma të tjera. Format do të diskutohen në vazhdim, në mënyrë që të dihet roli i tij i saktë te Uellsi para grumbullimit të muajit mars.
“Do të doja që ai të ishte ende i përfshirë në ekip, por cili do të jetë roli i tij ende nuk e di. Sigurisht se për këtë diskutojmë pasi do ta kemi edhe një bisedë tjetër pas disa javësh. Ai dukej entuziast për këtë ide, por do të shohim”, shtoi Page. “Ne do të bëjmë një plan për të ecur përpara, sepse ai ka shumë për të ofruar në zhveshtore dhe në ambientet e tjera të ekipit. Përfundimisht do të jetë shumë i rëndësishëm dhe mund të na ndihmojë në kualifikimin tonë në Evropian”.
Krahas Kroacisë dhe Letonisë, Përfaqësuesja e Uellsit në kualifikimet për “Euro 2024” do të përballet edhe me Armeninë e Turqinë. Dy ekipet e para në grup do të avancojnë për Evropianin e vitit të ardhshëm.