Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përzgjedhësi i Uellsit thotë se Bale duhet të trajtohet me kujdes të veçantë

Përzgjedhësi i Uellsit, Robert Page, është i bindur se Gareth Bale duhet të trajtohet me kujdes në klubin e tij të ardhshëm, pasi sulmuesi frymëzoi përfaqësuesen e tij për t’u kualifikuar në kampionatin botëror “Katari 2022”. Uellsi luan në Botëror për herë të parë pas 64 vjetësh.

Bale është në kërkim të një ekipi të ri pasi i dha fund qëndrimit të tij të trazuar nëntëvjeçar te skuadra e Real Madridit. Kapiteni i Uellsit këmbëngul se ka “shumë oferta”, pavarësisht se luajti shumë pak te Real Madridi në edicionin 2021/22, në të cilin ekipi spanjoll triumfoi në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve. Bale përkujtoi cilësinë e tij me një paraqitje me ndikim në fitoren 1:0 të Uellsit në finalen e plejofit për kualifikim në Botëror kundër Ukrainës, të dielën e shkuar në Cardiff.

Me Uellsin, që tashmë ka siguruar një vend në Botërorin që nis në muajin nëntor në Katar, Page thotë se ish-ylli i Tottenhamit, Bale, duhet të gjejë vendin e duhur për t’u transferuar, për të arritur formën e tij maksimale për turneun e madh të futbollit. Klubi i vendlindjes së Balet, Cardiffi, pastaj Newcastle Unitedi dhe disa ekipe të MLS-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vlerësuar destinacione të mundshme për sulmuesin.

32-vjeçari fitoi një mori medaljesh me fanellën e Realit, por kishte një listë të gjatë lëndimesh gjatë viteve të tij të fundit në Spanjë. Page e di se është e rëndësishme që Bale ta menaxhojë me kujdes gjendjen e tij fizike.

“Mos më keqkuptoni, unë kam qenë vetë trajner klubi dhe është e vështirë. Kur përpiqeni të krijoni një mjedis i cili përbëhet prej lojtarëve të klasës botërore, atëherë nuk është aspak lehtë”, tha Page të martën në konferencën për shtyp. “Është më e vështirë ta bësh këtë në një klub ku duhet ta kesh atë autoritet mbi lojtarët dhe të thuash: ‘Kështu do t'i bëjmë gjërat dhe do të stërvitemi sot’”.

Edhe Uellsi do ta ketë ndihmën e Bales në kualifikimet për “Euro 2024” Sport Uellsi do ta ketë ndihmën e Bales në kualifikimet për “Euro 2024”

Megjithatë, Bale ka një trajtim tjetër te Përfaqësuesja e Uellsit dhe këtë e pranon edhe përzgjedhësi Page.

“Asnjë mungesë respekti për lojtarët e tjerë të Uellsit, por ne nuk kemi dhjetë Gareth Bale të tjerë. Kështu që ne duhet të kujdesemi për të në mënyrë të veçantë, pra të mos e menaxhojmë situatën sikur në klub. Ai duhet ta marrë vetë përgjegjësinë. E kjo do të përcaktohet nëse ai luan vazhdimisht për klubin”.

Për shkak të trajtimit tjetër që e ka te përfaqësuesja, Bale do të pushohet për ndeshjen e Uellsit në Ligën e Kombeve kundër Holandës, që zhvillohet në Cardiff të mërkurën.

Agjenti i Balet, Jonathan Barnett, ka refuzuar të përjashtojë mundësinë që klienti i tij për edicionin 2022/23 të jetë pjesë e skuadrës së Cardiffit, që bën gara në kategorinë e dytë të Anglisë – Championship. Barnett ka insistuar se klubi i ardhshëm i Balet nuk do të ketë të bëjë aspak me paratë, por me dëshirën e tij.

Edhe Bale thotë se është gati për paraqitje në Botëror Sport Bale thotë se është gati për paraqitje në Botëror

“Ajo që bën Bale prej edicionit të ri nuk ka të bëjë me paratë”, tha shkurt Barnett.

Ndërkohë përzgjedhësi Page i pyetur nëse ka ndonjë informatë për të ardhmen e Balet, tha. “Nuk po gënjej kur them se nuk e kam idenë se çfarë po bën. Nuk e kam pasur atë bisedë me të. Unë do të flas me të, por varet nga Bale dhe familja e tij që të vendosin se çfarë është më e mira për të për ta sjellë në kuadrin e duhur mendor dhe fizik për muajin nëntor”.