Sport

Bale i mbushur me energji për Kupën e Botës pas zhvendosjes në MLS

Gjatë viteve të tij të vështira të fundit në Real Madrid, Gareth Bale e gjeti me të vërtetë lumturinë në një fushë futbolli kur u lidh me Uellsin për të luajtur ndeshje me ekipin e tij kombëtar. Tani, pasi u transferua në Shtetet e Bashkuara në Amerikë, ai po e ndien dashurinë edhe në nivel klubesh. Bale iu bashkua Los Angeles FC në korrik pas skadimit të kontratës së tij me Realin dhe ka luajtur rregullisht për një nga skuadrat më të mira të Major League Soccer, megjithëse kryesisht si zëvendësues teksa forcon aftësinë e tij fizike pasi mezi ka luajtur në sezonin e tij të fundit në Spanjë.

Synimi përfundimtar për Balen është të jetë në gjendje maksimale për datën 21 nëntor - kur Uellsi luan me SHBA-në në ndeshjen e parë të grupeve në Kupën e Botës në Katar. Kjo shënon edhe pjesëmarrjen e parë të Uellsit në këtë ngjarje që nga viti 1958. Ndërsa për Balen është kulmi i një karriere që e ka parë atë të fitojë trofe të Ligës së Kampionëve në Madrid si lojtari më i shtrenjtë në botë. Në fund të fundit, Bale zgjodhi të transferohej në Los Angeles për të marrë maksimumin nga vitet e fundit të karrierës së tij - për ekipin e tij dhe përfaqësuesen e tij - dhe ai mendon se bëri zgjedhjen e duhur.

“Nuk mund të kërkoj më shumë”, tha Bale në bazën stërvitore të Uellsit të mërkurën, kur u pyet se sa është adaptuar në Kaliforni. “Ata më bënë të ndihem si në shtëpi menjëherë. Po marr motiv të madh nga ekipi im në MLS dhe shpresoj se kjo do të më japë më shumë besim duke luajtur për Uellsin”.

Bale ishte i buzëqeshur - si zakonisht - kur u bashkua me Uellsin të martën pasi fluturoi nga Los Angelesi, ku familja e tij është zhvendosur dhe ndihet e qetë. Gjithashtu i rëndësishëm është fakti se Bale ndihet më në formë dhe më i efikas se sa ka qenë për një kohë të gjatë. Ai po ndjek një program të personalizuar fitnesi, duke ngarkuar gradualisht stërvitjen e tij dhe ka qenë titullar në dy nga gjashtë ndeshjet e fundit të LAFC-së, pasi ishte zëvendësues për pesë të parat. Bale ende nuk i ka plotësuar 90 minuta për ekipin e tij të ri, por kjo ka më shumë gjasa të ndodhë kur LAFC-ja të hyjë në plejof, në të cilin do të futet si ekipi kryesor i Konferencës Perëndimore.

“Çdo lojtar do t'ju thotë se të luani ndeshje dhe të jeni plotësisht në formë, është gjëja më e rëndësishme dhe ju bën të ndiheni më mirë, më të mprehtë në fushë”, tha Bale. “Vitet e fundit më është dashur të grumbullohem me Uellsin dhe të gjej gjendjen time fizike”.

Përzgjedhësi i Uellsit, Rob Page, nuk është i sigurt se sa do ta përdorë Balen për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Belgjikës dhe Polonisë, duke këmbëngulur se gjëja kryesore është mbajtja e lojtarit në formën më të mirë të mundshme për në Kupën e Botës. Page nuk ka dyshim se transferimi në Los Angeles e ka mbushur me energji Balen.

“Mund ta shihni se ka qenë lëvizja e duhur për të dhe familjen e tij. Ne e kemi pasur atë në kamp më parë dhe ai ka qenë i mrekullueshëm për ne dhe na ka fituar ndeshjet pa luajtur asnjë minutë në nivel klubi”, shtoi Page.

Bale tha se ndeshja mes Uellsit dhe SHBA-së, që luhet më 21 nëntor, është një temë e rregullt e bisedave në dhomat e zhveshjes të LAFC-së.