Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bale deklarohet 100 për qind i gatshëm për Uellsin

Gareth Bale i ka dhënë Uellsit një nxitje masive për Kupën e Botës, duke e deklaruar veten 100 për qind të aftë për turneun në Katar. Gjendja fizike e kapitenit Bale ka qenë burim i madh shqetësimi përpara paraqitjes së parë të Uellsit në Botëror pas 64 vjetësh.

Bale zbuloi se ishte i shqetësuar nga një “lëndim i lehtë” dhe “nuk ishte 100 për qind gati” pasi u inkuadrua nga banka e rezervistëve për të shënuar një gol vendimtar në triumfin e Los Angeles FC ndaj Philadephias në finale të Kupës MLS më 5 nëntor. Përpara nisjes së Uellsit të martën drejt Katarit, Bale tha: “Unë jam 100 për qind i aftë dhe gati për të shkuar”.

I pyetur nëse mund të luante tri ndeshje 90-minutëshe kundër SHBA-së, Iranit dhe Anglisë përgjatë nëntë ditëve, Bale u përgjigj: “Po, nuk ka problem”.

Uellsi bën pjesë në Grupin B të Kampionatit Botëror, i cili nis të dielën. Bale 33-vjeçar insistoi se tashmë ka lënë pas vetes problemet që e munduan vitet e fundit. Ai pranoi se nuk ishte aspak e lehtë për shkak se frikësohej se do ta humbiste pjesëmarrjen në Botëror.

“Unë jam plotësisht në formë dhe gati për të luajtur. Nëse më duhet të luaj tri ndeshje nga 90 minuta, do ta bëj një gjë të tillë. Jam mirë. Ka qenë e vështirë, mendërisht. Mendoj se për të gjithë, në tri ose katër javët e fundit, ka qenë e vështirë, madje edhe të dëgjosh histori të lojtarëve që e humbën Kupën e Botës”, shtoi Bale. “Të flasësh me disa prej djemve, edhe për ta që duhej të luanin fundjavën e shkuar, ishte e vështirë mendërisht, dhe ne thjesht po lutemi që të mos kemi ndonjë lëndim sepse është një rast kaq i madh”.

Bale i bëri jehonë vendosmërisë së Federatës së Futbollit të Uellsit për të folur për të drejtat e njeriut që lidhen me Kupën e Botës. Katari është kritikuar për historinë e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e punëtorëve emigrantë. Bale do t'u bashkohet kapitenëve të tjerë të përfaqësueseve evropiane duke mbajtur shiritin “OneLove” gjatë turneut, si një mesazh kundër diskriminimit.

“Sigurisht për ne si futbollistë ka qenë një temë e vështirë për të folur. Por ne mund të hedhim dritë mbi problemet që po ndodhin. Ne kemi folur me federatën dhe drejtuesit e saj kanë folur me qeverinë e Uellsit. Nga qeveria kanë folur me Katarin dhe FIFA-n, duke punuar për këto çështje”, tha Bale. “Ne si lojtarë jemi plotësisht prapa dhe mbështesim gjithçka që mund të bëjmë. Si futbollistë, më së shumti që mund të bëjmë është të rrisim ndërgjegjësimin dhe u takon njerëzve më të lartë që t'i marrin ato vendime dhe shpresojmë që të bëjnë ndryshime për të mirë”.

Uellsi e nis fushatën në Kupën e Botës kundër SHBA-së më 21 nëntor, përpara se të luajë me Iranin katër ditë më vonë. Uellsianët do të përfundojnë ndeshjet e tyre në grup kundër Anglisë më 29 nëntor, me të tri duelet që do të luhen në stadiumin “Ahmed bin Ali” në Doha.

“Kur luani në këta turne të mëdhenj është e rëndësishme të kesh përvojë për ta bërë këtë, dhe shumica e skuadrës e kanë bërë këtë. Është e rëndësishme të dimë se çfarë të presim. Ndeshjet janë të vështira, por ne do të përgatitemi për të arritur sa më shumë që të mundemi në këtë turne. Në letër ne kemi grupin më të vështirë në Kupën e Botës dhe nuk do të jetë lehtë”, insistoi Bale.

Joe Allen është i sigurt se do të fitojë betejën e tij të fitnesit për t'u rreshtuar në ndeshjen hapëse kundër SHBA-së. Mesfushori i Swanseas nuk ka luajtur që nga 17 shtatori për shkak të një problemi fizik.

"Shpresoj të jem i aftë për ndeshjen e parë. Nuk ka shumë kohë, por kjo është një javë e rëndësishme për mua. Unë po bëj gjithçka që mundem për të qenë i aftë për Kupën e Botës”, tha Allen.

Ndërkohë Aaron Ramsey ka ringjallur kujtimet e “Euro 2016” duke i lyer flokët me ngjyrë të bardhë. Mesfushori i Nicet kishte një pamje të tillë në Francë gjashtë vjet më parë, kur Uellsi arriti në gjysmëfinale dhe Ramsey u zgjodh në ekipin e turneut.

“Kam dashur të bëj një ndryshim përsëri”, tha Ramsey. “Shpresoj të shkojë mirë si herën e kaluar”.

Artikuj të ngjashëm