Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bale shpreson ta udhëheqë Uellsin drejt fitores ndaj Iranit

Uellsi takohet me Iranin në ndeshjen e rëndësishme të Kupës së Botës. Uellsianët janë të vetëdijshëm që fitorja do të rriste gjasat për të kaluar në raundin e dytë të Botërorit në Katar. Ndeshja e grupit B luhet të premten prej orës 11:00.

Uellsi në ndeshjen e parë barazoi 1:1 me SHBA-në, falë golit të Gareth Bale nga pika e bardhë. Ndërkohë Irani pësoi 6:2 nga Anglia, në ndeshjen që fokusi për iranianët nuk ishte në fushën e blertë.

Kapiteni Bale do ta kalojë bashkëlojtarin Chris Gunter për numrin e paraqitjeve për Uellsin, nëse luan të premten.

“Është e arritur e jashtëzakonshme. Është nder të përfaqësoj vendin tim në kaq shumë ndeshje”, ka thënë Bale, që i ka 109 ndeshje për Uellsin.

“Por, më e rëndësishme është që ne të tentojmë dhe të marrim fitore. Shpresojmë se do t’ia arrijmë dhe kjo do ta bënte edhe më të veçantë”, ka shtuar Bale.

Edhe Anglia e motivuar për ndeshjen me Uellsin Sport Anglia e motivuar për ndeshjen me Uellsin

Ai ka thënë se ndeshja do të jetë e vështirë dhe se Irani ka ekip të mirë. Sipas yllit uellsian, Irani nuk është rastësisht në Botëror.

Bale, 33-vjeçar, tashmë është golashënuesi më i mirë në histori të Uellsit. Goli ndaj SHBA-së ishte i 41-ti për të me fanellën e Uellsit.

Uellsi po paraqitet në Botëror për herë të parë që nga viti 1958. Ndaj SHBA-së, Uellsi ishte inferior në pjesën e parë, por u kthye fuqishëm në të dytën dhe mori barazimin në fund. Uellsi nuk e ka luksin të fillojë ngadalë ndaj Iranit. Duhet ta mposhtë Iranin për të pasur gjasa për avancim në një të tetën e finales. Ndeshjen e tretë Uellsi e luan ndaj favorites së grupit, Anglisë.

“Irani do të tentojë reagimin pas paraqitjes dëshpëruese. Fitorja është e nevojshme për të dy përfaqësueset”, ka thënë Robert Page, selektor i Uellsit. Ai ka lënë të kuptohet se Irani nuk ka pritur shumë nga ndeshja me Anglinë dhe se fokusin e ka në dy ndeshjet e tjera.

Edhe Irani shënon dy gola në fund për ta mposhtur Uellsin Sport Irani shënon dy gola në fund për ta mposhtur Uellsin

Këtë në një mënyrë e ka pranuar edhe selektori i Iranit, Carlos Queiroz. Ka pasur shumë zhvillime për protestat në Iran, para dhe gjatë ndeshjes me Anglinë. Irani nuk duket se e ka përkrahjen e plotë në shtëpi dhe kjo ka reflektuar edhe te lojtarët.

“Për ne Kupa e Botës fillon të premten. Kemi dy ndeshje dhe gjashtë pikë për të cilat duhet të luftojmë”, ka thënë Queiroz.