Sport

Uellsi synon të tregojë se sa i mirë është në rikthim në Kupën e Botës

Mbrojtësi i Uellsit, Ethan Ampadu, të enjten tha se përfaqësuesja uellsiane dëshiron të dëshmojë “se sa e mirë është” pasi kthehet në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1958.

Skuadra e trajnerit Rob Page do t'i japë fund pritjes 64-vjeçare të Uellsit për një ndeshje në shfaqjen më të madhe të futbollit. Luan kundër SHBA-së në Grupin B, të hënën.

“E kemi një përgjegjësi të madhe dhe këtë e dimë të gjithë”, tha Ampadu. “Ne duam të tregojmë se sa i madh mund të jetë Uellsi si shtet dhe të tregojmë se sa të mirë jemi. Unë mendoj se ne duhet të kemi këtë mentalitet, të synojmë fitore. Ne nuk jemi këtu për të barazuar apo humbur”.

Uellsi u kualifikua në Botëror pasi fitoi në finalen e plejofit, 1:0, ndaj Ukrainës dhe në Katar do të shpresojë të imitojë ekipin e frymëzuar nga John Charles, i cili arriti në çerekfinale përpara se të humbiste nga Brazili i Peles.

“Ne jemi këtu për të luajtur. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën që mundemi dhe nëse kjo na jep një mundësi për ta fituar, atëherë sigurisht se do ta bëjmë. Ne do të mbështesim veten dhe nuk na intereson se kush janë favoritët e tjerë”, tha Ampadu, i cili aktualisht është në huazim te Spezia në Serie A nga Chelsea.

Përballja me Anglinë fqinje mbyll fazën e grupeve për Uellsin, i cili ka kaluar në fazën eliminatore në dy kampionatet e fundit evropiane. Uellsi në grup do të ketë punë edhe me Iranin.

“Ne jemi në skenën më të madhe dhe duam vetëm të bëjmë paraqitje të mira dhe të shkojmë sa më larg që mundemi”, tha sulmuesi i krahut, Mark Harris. “Duhet t'i luajmë të tri ndeshjet me angazhim maksimal dhe sigurisht që duhet t’i fitojmë. Ne do të futemi vetëm për fitore, nuk mendoj se ka shumë rëndësi se në çfarë renditjeje janë ndeshjet”.

Mesfushori Joe Allen ka qenë në “garë” për t'u përgatitur që të përballet me amerikanët, ndërsa kapiteni Gareth Bale është në formë të mirë. Bale në muajt e fundit është kursyer nga ekipi i tij në MLS, Los Angeles FC.

Ampadu tha se “të gjithë janë në formë të mirë dhe të motivuar për të shkuar larg”. Uellsi ka shtyrë seancat stërvitore në orën 16:00, me orën lokale në Doha, në përpjekje për të shmangur vapën në Katar. Harris pranoi se kjo kishte qenë tronditje për sistemin e stërvitjeve, por shtoi se asnjëra prej ekipeve në grup nuk do të ketë avantazh kur është në pyetje vapa.

“Ne dolëm për një shëtitje në mëngjes rreth orës 11 dhe ishte shumë ngrohtë, kështu që po djersiteshim vetëm duke ecur nëpër hotel”, tha ai. “Natyrisht që nuk jemi mësuar me të, por nuk do të thosha se është e frikshme apo diçka tjetër. Jam i sigurt se stërvitjet gjatë ditëve të ardhshme do të ndihmojnë shumë që të jemi gati ta përballojmë edhe këtë pengesë”.

Krahas Balet, te Uellsi mbështeten shumë edhe në mesfushorin me përvojë të madhe në futbollin evropian, Aaron Ramsey. Pas Arsenalit dhe Juventusit, Ramsey po luan në Francë këtë edicion te Nice.