Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bale pranon se kualifikimi në Botëror do të ndikojë në lëvizjen e tij të ardhshme

Sulmuesi Gareth Bale ka pranuar se kualifikimi i Përfaqësueses së Uellsit në Kampionatin Botëror për herë të parë pas 64 vjetësh do të ndikojë në fazën tjetër të karrierës së tij. Bale po shikon opsionet për të vendosur se cilit ekip do t'i bashkohet për edicionin e ri, pas largimit nga Real Madridi.

Megjithatë një gjë është e sigurt. Bale nuk do të transferohet te Getafe, siç u raportua ditë më parë.

“Unë nuk do të shkoj në Getafe, kjo është më se e sigurt”, tha Bale të premten.

Kjo deklaratë e Balet erdhi si reagim ndaj presidentit të klubit spanjoll, Angel Torres, i cili të mërkurën ka thënë se i është ofruar kapiteni i Uellsit nga agjenti i futbollistit. Pretendimi i Getafes u mohua shpejt edhe nga ekipi drejtues i uellsianit dhe vetë Bale e ka përjashtuar lëvizjen.

Bale 32-vjeçar në fund të këtij muaji do të jetë lojtar i lirë pasi i skadon kontrata me Real Madridin. Bale ka qenë i lidhur me një lëvizje në klubin e vendlindjes së tij, Cardiff, si dhe në Newcastle dhe disa skuadra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Do të kem shumë kohë për të shkuar në pushime dhe për të vendosur të ardhmen time atëherë”, tha Bale, i cili ndihmoi Uellsin të mposhtte Ukrainën të dielën e shkuar për të arritur në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1958.

Ai do të largohet nga Real Madridi pas tetë vjetësh. Gjatë periudhës në “Santiago Bernabeu”, Bale ndër të tjera e fitoi pesë herë trofeun e Ligës së Kampionëve. Megjithatë në vitet e fundit ai nuk ka pasur hapësirë të madhe te klubi spanjoll për shkak edhe të lëndimeve të shpeshta. Në edicionin 2020/21, Bale u huazua te Tottenhami për t’u kthyer te Reali verën e shkuar dhe gjatë tërë edicionit të fundit pati vetëm shtatë paraqitje dhe një gol të shënuar në të gjitha garat.

Edhe Uellsi do ta ketë ndihmën e Bales në kualifikimet për “Euro 2024” Sport Uellsi do ta ketë ndihmën e Bales në kualifikimet për “Euro 2024”

Bale i qe bashkuar Realit në verën e vitit 2013 nga Tottenhami për një dëmshpërblim rekord prej 101 milionë eurosh. Bale tha se dëshiron që të jetë në formë të mirë fizike për Botëror, në mënyrë që ta ndihmojë Uellsin të avancojë përtej fazës së grupeve. Kështu që ai do të zgjedhë klubin më të mirë të mundshëm këtë verë për t’u bërë gati.

“Sigurisht, Kampionati Botëror do të ketë ndikim në klubin tim të ardhshëm. Unë thjesht dua të luaj sa më shumë ndeshje në klubin e ri që të jem sa më i aftë për të shkuar në Kupën e Botës që mbahet në Katar”, u shpreh Bale. “Sapo t'i rikthehem lojës së rregullt të futbollit, trupi im do të bëhet më i fortë dhe pak më i mirë pasi besoj se do të kem minutazhë të madhe. Është shumë e vështirë kur nuk ke ndeshje në nivel klubi që të jesh në ritmin e duhur. Kështu që këtë do ta kem parasysh para se të vendos për lëvizjen e ardhshme. Dua të jem në top formë deri në nëntor për ta ndihmuar Uellsin në Botëror”.

Në Kampionatin Botëror, Uellsi do të paraqitet në Grupin B që përbëhet edhe nga Anglia, SHBA-ja e Irani.