Përzgjedhësi i Shqipërisë U21 në futboll, Alban Bushi, ka vlerësuar lart dy futbollistët e rinj kosovarë, Dion Berisha dhe Eniss Shabani. Selektori Bushi ka përfshirë në listën e tij për herë të parë këta dy futbollistë për ndeshjet kualifikuese të këtij muaji. Në fakt, Bushi pret ndihmën e dy lojtarëve, Berishës dhe Shabanit, për t’u kualifikuar në “Euro 2025”. Berisha 20-vjeçar është pjesë e ekipit të dytë të Bayernit, ndërsa për Kosovën U21 ka shënuar një gol në tri ndeshje. Dy ndeshjet e fundit për “Dardanët” e rinj i pati muajin e kaluar. Luajti 24 minuta për Kosovën U21 në ndeshjen ndaj Polonisë dhe dhjetë minuta kundër Gjermanisë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit 2025. Shabani 20-vjeçar luan për ekipin e dytë të Mainzit. Ai edicionin e kaluar debutoi në Bundesligë me Mainzin. Më herët ka luajtur për U19 të Gjermanisë, ndërsa Kosova kishte shprehur interesim. Dy futbollistët pritet të debutojnë për Shqipërinë për ndeshjet eliminatore të “Euro 2025” kundër Finlandës dhe Malit të Zi.
“Mendoj që me lojtarët e rinj që na kanë ardhur, unë dua t’i përshëndes dhe t’i falënderoj si Berishën dhe Shabanin, njëri ka ardhur nga Bayerni dhe tjetri nga Mainzi. Mendoj se do të na shërbejnë shumë dhe do të na ndihmojnë në rrugën tonë”, ka thënë në konferencën për media të enjten përzgjedhësi i U21 të Shqipërisë, Bushi.
Shqipëria U21 luan më 13 tetor në udhëtim te Finlanda, ndërsa katër ditë më vonë e pret Malin e Zi. Berisha është largimi i radhës i lojtarëve nga grupmoshat e reja të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Berisha, siç ka mësuar KOHA, ishte në listën e Kosovës U21 për ndeshjen e këtij muaji, atë kundër Bullgarisë më 17 tetor. Bushi për këto ndeshje që i takojnë Grupit E kualifikues, ka ftuar 24 futbollistë, përfshirë edhe Medon Berishën e Adrion Pajazitin, të cilët në të shkuarën kanë luajtur për Kosovën U21. Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, nuk ka komentuar largimin e fundit në drejtim të Shqipërisë U21.
“Rruga e mbarë e suksese i qoftë! Kaq nga ne”, ka thënë shkurt Tovërlani për KOHËN.
Më i ashpër në mesazh për largimin e lojtarëve nga Kosova në drejtim të përfaqësueseve të tjera ishte mesfushori Florent Muslija. Muslija është reprezentues i Kosovës A, ndërsa në nivel klubesh aktivizohet te Paderborni në Bundesligën 2. Muslija më herët ka luajtur për U20 të Gjermanisë, ndërsa prej vitit 2019 është pjesë e “Dardanëve”, ku ka 1 gol të shënuar në 13 paraqitje.
Edhe
Tjetër futbollist lë Kosovën për Shqipërinë
“Kam një mesazh shumë të sinqertë e vëllazëror për të gjithë ata bashkëlojtarë të të gjitha grupmoshave. Është e drejtë legjitime e secilit të vendosë me zemër, është po ashtu e drejtë legjitime e të analizosh e të konsultohesh. Por në momentin që vendos me u thënë po Dardanëve dhe shtetit tënd nuk është as morale e as profesionale dhe nuk ka asnjë arsye ta ndërrosh mendjen për joshje të tjera”, ka shkruar Muslija në Instagram.
Shqipëria U21 po synon kualifikimin në Evropianin e vitit 2025 dhe pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani në këtë cikël eliminator ka shënuar dy fitore. Me gjashtë pikë të mbledhura i prin grupit. Kosova është në vendin e katërt me tri pikë të mbledhura nga tri ndeshje në Grupin D.