Sport

Nuk ka të ndalur ikja e lojtarëve nga përfaqësueset e Kosovës

Sulmuesi i ekipit të dytë të gjigantit gjerman Bayern, Dion Berisha, ka vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë U21 në të ardhmen. Berisha u ftua nga Shqipëria U21 për ndeshjet e këtij muaji, ndaj Finlandës dhe Malit të Zi. Por të dielën FSHF-ja njoftoi se Berisha nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këto dy takime. Ai është zëvendësuar nga Ermir Selimaj.

Është raportuar se Dion Berisha nuk do të grumbullohet këtë herë me kuqezinjtë në mungesë të dokumentacionit. Megjithatë, futbollisti i talentuar pritet të luajë për Shqipërinë në të ardhmen.

Berisha ndoqi rrugën e shumë lojtarëve që në të kaluarën kanë luajtur disa ndeshje për Kosovën dhe më vonë i janë bashkuar Shqipërisë e disa përfaqësueseve të tjera.

Rrugën e njëjtë mund ta ndjekë edhe Larson Ferati. Ferati ditë më parë deklaroi tërheqjen “e përkohshme” nga Kosova U19, që drejtohet nga Adil Maliqi.

Ferati nuk ka dhënë arsye për tërheqjen e tij. Por për KOHËN nuk ka mohuar se është kontaktuar nga Shqipëria.

“Janë disa arsye personale dhe fokusin dua ta kem te Bayer Leverkuseni. Ka kohë për kombëtare. Ta shohim në të ardhmen si do të vendos. I kam disa kontakte, por interesi im është të përqendrohem aty ku jam në klub”, ka thënë Ferati për KOHËN.

Version tjetër ka dhënë selektori i Kosovës U19, Adil Maliqi. Ai ka thënë se Ferati është i lënduar dhe se nuk mund ta përfshijë në ekip për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2024. “Dardanët” e rinj bëjnë pjesë në Grupin 7, ku janë edhe Ukraina, Sllovakia dhe nikoqirja e turneut kualifikues, Malta. Ndeshjet luhen në nëntor.

“Larson Ferati është i lënduar, nuk mund të ftohen lojtarët që janë të lënduar. Ne i mirëpresim lojtarët që ndiejnë të luajnë për Kosovën. Kam bërë 10 mijë kilometra për të afruar lojtarë dhe ia kam arritur të nxjerr lojtarë nga Gjermania, Zvicra dhe vendet e tjera. Kjo për mua ka shumë rëndësi. Pak ka rëndësi ata që largohen. Më shumë jam i interesuar për ata që afrohen dhe qëndrojnë me projektin tim. Kjo gjeneratë do të shkruajë histori për Kosovën. Kam besim në punën time dhe në këtë gjeneratë”, ka thënë Maliqi për KOHËN.

Me largimin e lojtarëve më së shumti është përballur Kosova U21. Por edhe Përfaqësuesja A. Shpresave të Kosovës në një periudhë jo të largët iu larguan edhe Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti. Më herët ndër ata që la Kosovën për Shqipërinë është Ardian Ismajli. Ish-kapiteni i Kosovës U21 është bërë lojtar i pazëvendësueshëm në mbrojtjen e Shqipërisë.

Ish-kapiteni tjetër i Kosovës U21, Edvin Kurtulush iu bashkua Suedisë. Ka edhe shumë lojtarë të tjerë në gjenerata të ndryshme që kanë lënë Kosovën për përfaqësuese të tjera.

Ish-futbollisti Taulant Dajaku jep disa arsye për largimin e lojtarëve nga Përfaqësuesja e Kosovës.

“Të gjitha rastet e ikjeve deri tani kanë një të përbashkët: mungesa e një plani dhe diskutimi të qartë profesional me lojtarët që ndihen të përfshirë në këtë plan. Pastaj zgjedhjet janë individuale, nuk duhet të fajësojmë asnjë lojtar për zgjedhjet që bëjnë, por të bëjmë vetëkritikë pse nuk jemi të aftë t’i bindim për të qenë pjesë e projektit që duhet të kemi për arritjen e suksesit të përbashkët. Në gjykimin tim kjo ndodh, sepse nuk kemi pasur dhe as nuk kemi ende një projekt që do të duhej ta publikojmë si Kosovë për pretendimet që duam të arrijmë në një periudhë 10-12-vjeçare. Derisa nuk kemi një plan të tillë, problem do të kemi me rezultate dhe kjo është fatkeqësi”, ka thënë Dajaku.

Trajneri Faruk Satatovi thotë se lojtarët duhet ta respektojnë më shumë Kosovën. Statovci është ndihmës te Kosova U15.

“Është e drejtë e tyre të vendosin, por nuk po më pëlqen që po vijnë te Kosova e pastaj menjëherë heqin dorë. Mendoj që të gjithë duhet të jemi më të qartë dhe të sinqertë. Thjesht vendos, është e drejtë e jotja, por jo në këto mënyra. Kosova ka nevojë për secilin lojtar që e ndien veten që duhet ta djersitë fanellën e shtetit të Kosovës. Gjërat vijnë me kohë dhe secili duhet ta presë rastin. Besoj se të gjithë do ta kenë atë mundësi. U them atyre të gjithëve se duhet ta duan Kosovën, edhe Kosova duhet t’i respektojë dhe t’i dojë të gjithë. Kërkoj më shumë respekt për Kombëtaren e Kosovës. Garanci në futboll nuk ka asnjëherë. Nuk ka të keqe që luan për Shqipërinë, edhe për atë jemi krenarë. Por duhet të jenë më korrekt. Jo njëherë të jenë të grumbulluar me Kosovën e pastaj po ikin. Thjesht, bëje zgjidhjen në fillim dhe jemi në rregull”, ka thënë Statovci.

Si arsye e largimit të lojtarëve nga Kosova në drejtim të përfaqësueseve të tjera është edhe mungesa e rezultateve. Kosova është në krizë të rezultateve me grupmoshat dhe me Përfaqësuesen A.

Shqipëria edhe me ekipin “A” e po ashtu edhe me U21 është në vendin e parë në kualifikimet për “Euro 2024”, përkatësisht “Euro 2025”.

Dion Berisha është lojtari më premtues që së fundi la Kosovën për Shqipërinë.

“Rruga e mbarë i qoftë dhe suksese”, ka thënë selektori i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, kur u pyet për largimin e Berishës nga Kosova.