Tri ndeshjet e fundit të Përfaqësueses U21 të Kosovës, në kuadër të eliminatoreve për Evropianin 2023, do t’i shërbejnë për tri gjëra drejtorit teknik të FFK-së, Albert Bunjakit. Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, kur edhe e publikoi listën prej 27 futbollistëve për këto ndeshje, Bunjaki zbuloi tri synimet e tij. Fillimisht ai tha se synon rezultate pozitive për të përfunduar këtë cikël sa më lartë në tabelë, pastaj ta bëjë ndërrimin e gjeneratës dhe në fund shtoi se prej këtij grumbullimi nisin përgatitjet për eliminatoret tjera, në të cilat synohet kualifikimi në Evropian. Ndeshjen e ardhshme në kuadër të Grupit G, Kosova do ta luajë të shtunën në udhëtim te Andorra. Më 10 qershor e pret Anglinë, përpara se këto kualifikimi t’i mbyllë në udhëtim te Shqipëria, tri ditë më vonë.
Aktualisht Kosova U21 është e pesta (e parafundit) në grup me tetë pikë të mbledhura pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara.
Bunjaki tha se me dy fitore prej këtyre tri ndeshjeve të mbetura do të përfundonin në pozitën e tretë, që edhe është synimi. Tri ndeshjet e fundit Bunjaki i quajti “fazë finale”.
“Faktikisht ne gjendemi në fazën finale, janë tri ndeshjet e fundit të këtyre kualifikimeve. Është një moment tjetër pasi është koha i ndërrimit të gjeneratës. Po ashtu këto tri ndeshje kanë rëndësi edhe në aspektin sportiv. E them këtë sepse pas dy rezultateve të mira me Slloveninë, kemi mundësi të përfundojmë lart në grup dhe kjo është e rëndësishme për shortin e kualifikimeve të ardhshme. Pra, ky është synimi ynë”, tha Bunjaki, i cili prej largimit të gjermanit Michael Nees, ka marrë drejtimin e kësaj gjenerate.
Ai tha se tashmë ka nisur të mendojë për ndërrimin e gjeneratës dhe për këtë dëshmia më e mirë është lista e publikuar. Sipas tij, gati gjysma e lojtarëve të ftuar për këto tri ndeshje janë të lindur në vitin 2002 dhe 2003.
Edhe
Shpresat e Kosovës presin përkrahje në ndeshjen e fundit në shtëpi
“Paralelisht me aspektin sportiv, këto tri ndeshje janë të fundit për gjeneratën 2000 dhe 2001. Është menduar t’u jepet hapësirë gradualisht edhe lojtarëve më të rinj në moshë, pra gjeneratës 2002 dhe 2003. Kjo tregon më së miri se në listën e lojtarëve të ftuar, 14 prej tyre i takojnë kësaj gjenerate, të cilët kanë të drejtë të luajnë edhe në kualifikimet e tjera”, është shprehur Bunjaki. “Gjendja e lojtarëve është pak me ndryshe sepse kemi tri ndeshjet e fundit. Kemi lojtarë me përvojë që do të ndihmojnë në integrimin e gjeneratës së re. Është shqetësuese pjesa e minutazhit të disa lojtarëve, por kjo lidhet me shumë aspekte. Një numër i madh i tyre i takojnë ekipit U19 dhe ende nuk janë pjekur për U21, por sa ma herët fillon integrimi, aq më mirë. Kështu që kemi vendosur t’i ftojmë, t’i testojmë dhe mund të them se përgatitjet tona për kualifikimet e ardhshme fillojnë tani, ndërsa synimi ynë mbetet kualifikimi”.
Bunjaki paralajmëroi se gjatë këtyre tri ndeshjeve do të përpiqet t’u japë sa më shumë hapësirë lojtarëve të rinj. Ai shprehu shqetësimin që lojtarët e rinj nuk po kanë minutazh te skuadrat e Superligës së Kosovës. Bunjaki u bëri thirrje të gjithë trajnerëve të ekipeve elitare të Kosovës që të tregohen më të guximshëm dhe t’u japin hapësirë të rinjve, pasi sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të përfitojnë ata. por edhe Përfaqësuesja U21.
“Do të mundohemi të gjejmë një balancë për t’i pushuar lojtarët me përvojë, në mënyrë që t’u japim rastin të rinjve dhe besoj se do të dalim me rezultate të mira. Shqetësim është se një numër i madh i të rinjve nuk aktivizohen në Superligën e Kosovës, edhe pse aktivizimi i tyre do të ishte dashur të jetë një shembull i mirë sepse klubet shpërblehen. Prej 93 lojtarëve që janë në Superligë të moshës 17-22-vjeçare, 63 nuk aktivizohen apo në maksimum luajnë 125 minuta për 18 xhiro dhe kjo është shumë pak. Kjo tregon që disa prej klubeve kanë traditë dhe guxim t’u japin hapësirë të rinjve. Kurse të tjerat preferojnë lojtarë me përvojë. Apeloj te trajnerët të kenë guxim dhe durim me lojtarët e rinj, sepse po na reflekton edhe te përfaqësuesja”, është shprehur Bunjaki që paralajmëroi se për të ardhmen do të ndryshojnë edhe kriteret e seleksionimit. “Kriteret e seleksionimit do të ndryshojnë. Te jesh pjesë e Përfaqësueses U21 duhet të jesh patjetër pjesë e ekipit të parë ku luan. Nëse je U19, atëherë 60-70 për qind të minutazhit ta kesh në ekipin ku luan. Këto kritere do të ndryshojnë në mënyrë që t’ua mundësojnë lojtarëve më të mirë të vijnë”.
Edhe pse pranoi se nuk do të jetë aspak lehtë dueli i parë me Andorrën, Bunjaki beson në rezultat pozitiv.
“Synojmë rezultate sa më të mira për të pasur një short më të mirë për kualifikimet e ardhshme. Janë ndeshje me karakter të ndryshëm. Andorra është ekip shumë më i mirë kolektiv sesa individual. Nuk do të jetë lehtë sepse luajmë në bari artificial, por synojmë të kthehemi me rezultat pozitiv. Nëse arrijmë dy rezultate pozitive prej tri ndeshjeve, do të përfundojmë të tretit në tabelë, që do të ishte një rezultat shumë i mirë dhe befasi”.
Edhe
Bunjaki pas humbjes 5:0: Kishte elemente interesante
Në konferencën për shtyp foli edhe sulmuesi i krahut, Valmir Veliu që është pjesë e skuadrës së Llapit. Veliu është njëri prej shtatë futbollistëve të skuadrave kosovare që janë ftuar te Kosova U21 për tri ndeshjet e qershorit.
“Dua të jap maksimumin në këto tri ndeshje. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por ne do të kërkojmë rezultate pozitive. Pak më të lehta në letër janë duelet me Andorrën e Shqipërinë, por edhe me Anglinë do të jemi të gatshëm të përballemi”, tha Veliu.