Sport

Bunjaki selekton sërish lojtarë për Kosovën, tani për Shpresat

Pesë vjet më parë Albert Bunjaki pati deklaruar se një ditë do të kthehet në krye të Kosovës si selektor. Kthimin te përfaqësuesja e kishte premtuar një ditë pasi Kosova pati mbyllur ciklin dëshpërues të eliminatoreve për Botërorin “Rusia 2018”.

Në intervistën e parë si ish-selektor, Bunjaki kishte thënë se do të jetë sërish në krye të Kosovës.

Dhe Bunjaki është kthyer te Kosova. Por jo te përfaqësuesja “A”. Ka marrë drejtimin e përkohshëm të Shpresave (U21), ndërsa nga FFK-ja është bërë e ditur të martën se atij i është dhënë edhe një post tjetër.

Në fakt pas shkarkimit të Michael Nessit nga posti i përzgjedhësit të Kosovës U21 dhe vendimit për të mos vazhduar bashkëpunimin me selektoren e futbollisteve, Afërdita Fazlija, FFK-ja kishte njoftuar se Albert Bunjaki do të ketë rolin e koordinatorit të përfaqësueses U21 dhe asaj të futbollisteve.

Por për dy detyrat e reja të Bunjakit nuk ka pasur njoftim në faqen zyrtare të FFK-së. Bunjaki tani, sipas njoftimit, është drejtor teknik dhe ushtrues i detyrës së përzgjedhësit të Kosovës U21.

FFK-ja ka njoftuar se Bunjaki do t’i drejtojë Shpresat e Kosovës në dy ndeshjet kundër Sllovenisë.

Ndeshjen e parë Kosova U21 e luan më 25 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa të dytën në Slloveni më 29 mars.

“Drejtori teknik dhe njëherësh ushtruesi i detyrës së përzgjedhësit të Kombëtares U21, Albert Bunjaki, për këto dy ndeshje ka ftuar 24 futbollistë, gjashtë prej të cilëve janë nga Superliga e Kosovës. Përgatitjet e Kombëtares U21 fillojnë më 21 mars në orën 15:00 në Kampin Nacional në Hajvali”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Bunjaki nuk i është përgjigjur interesimit të KOHËS për kthimin në pozitë të trajnerit. Ka thënë se duhet t’i drejtohemi zyrës për media, që ka kohë që nuk përgjigjet për KOHËN.

Ai në një intervistë dhënë KOHËS më 10 tetor të vitit 2017 pati thënë se do të kthehej një ditë te Kosova si selektor.

“Unë do ta udhëheq Kosovën edhe në një cikël, e ai mund të jetë një cikël i Evropianit", kishte thënë Bunjaki.

Rezultatet e Kosovës në eliminatoret për Botërorin 2018 ishin vlerësuar dëshpëruese. Dhe pas atij cikli Bunjaki ishte larguar nga posti i përzgjedhësit.

Ai e ka drejtuar Kosovën nga viti 2009 e deri në vitin 2017. Vlerësohet se i ka vënë bazat e përfaqësueses, në prag të pranimit ndërkombëtar dhe pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Pasi u largua nga posti i selektorit të Kosovës nuk gjeti punë si trajner. Për një kohë kishte pozitë drejtuese në klubin Feronikeli e më pas u kthye në FFK. Ndër të tjera ishte përgjegjës për implementimin e VAR-it, pra mbajti një post jo shumë tipik për një trajner futbolli.

Pas situatës gati kaotike në FFK, Bunjakit i është dhënë edhe një rast për të punuar trajner, përkatësisht selektor.

Pas Albert Bunjakit, Kosovën e ka drejtuar Bernard Challandes. Pak kohë më parë selektor është emëruar francezi Alain Giresse.