Patriot Sejdiu 21-vjeçar ka pasur formë të mirë në përgatitjet parasezonale.
Me dy gola në dy ndeshje, tani është kthyer në kandidat serioz për të fituar vend të titullarit në mesfushën e skuadrës Malmo FF këtë vit.
Sejdiu ka pasur vit të vështirë me lëndim të gjurit. Por, me rikthimin e tij në fushë, ai e ka gjetur edhe formën e mirë para nisjes së sezonit të ri.
Ka ndihmuar skuadrën e Malmos në dy ndeshje miqësore, me dy gola të shënuar. U raportua se ai mund të huazohet në mënyrë që të ketë më shumë minutazhë këtë vit, por një gjë të tillë, nuk do ta lejojë trajneri Milosh Milojeviq.
Trajneri i Malmo FF, ka folur pikërisht për Sejdiun 21-vjeçar.
“Dy golat e shënuar janë mirë për besimin e tij. Shpresoj që të jenë shtytje për të që të punojë edhe më shumë, e të zë vend në formacion. Mendoj se ai mund ta bëj një gjë të tillë, por varet nga ai”, ka thënë Milojeviq.
Mosha e re e Sejdiut nuk luan rol të madh për Milojeviqin.
“Nuk është problem për mua, por nëse unë kam një lojtar në ekip i cili mund të shënojë, qartë është se nuk dua që ai të huazohet”, ka theksuar ai.
I kënaqur me formën e Sejdiut ka mbetur edhe drejtori sportiv, Andreas Georgson. Ai thotë se dëshiron ta shoh se çfarë do të sjellë e ardhmja për të.
“Ai është në gjendje të luajë me shpejtësinë e kësaj loje. Kemi dashur t’i japim më shumë hapësirë para se të marrim një vendim, të shohim nëse ai mund të vazhdojë me hapa të sigurt. Huazimi nuk do të thotë se ne nuk besojmë në lojtarin. Huazimi bëhet që ai të gjejë më shumë minuta për të luajtur dhe ai lojtar të kthehet më i fortë. Ai ndihet mirë kur shënon gola”, theksoi Georgson.