Të mërkurën nga ora 20:30 në Podgoricë luhet ndeshja e hendbollit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Për të dy përfaqësueset është ndeshja e parë e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”.
Por, te Mali i Zi ende nuk e dinë se me cilët lojtarë do të luajnë ndaj Kosovës. Kështu të paktën ka shkruar të hënën gazeta e madhe nga ky vend, Vijesti.
Kosova ka nisur të enjten përgatitjet për ndeshjen me Malin e Zi dhe atë me Suedinë që luhet të dielën në Prishtinë. Ekipi i Kosovës është kompletuar të dielën, ndërsa po pritet rezultati i testimit për COVID-19.
Pikërisht situata me koronavirus ka shkaktuar telashe të shumta te Mali i Zi. Sipas “Vijesti”, lista e lojtarëve të Malit të Zi ka ndryshuar nga dita në ditë dhe ende nuk dihet se cila do të jetë lista finale.
“Prej pavarësimit të Malit të Zi, në përfaqësuesen e hendbollistëve ka pasur çdo gjë. Ka pasur gjëra të mira e të këqija – nga paraqitja në ngjarje të mëdha, fitoret e paharruara ndaj Suedisë, Gjermanisë, Danimarkës, e deri te nxjerrja nga hoteli për shkak të faturës së papaguar, shkuarjes së lojtarëve në përfaqësuese të tjera dhe skandaleve të ndryshme. Por, asnjë situatë nuk mund të krahasohet me këtë që ditëve të fundit e kanë kaluar drejtuesit e përfaqësueses. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, lista për ndeshjet me Kosovën dhe Rumaninë është ndërruar nga dita në ditë dhe ende nuk dihet cila do të jetë finale”, ka shkruar Vijesti.
Mali i Zi të hënën (sot) do ta bëjë stërvitjen e parë. Nuk do të jenë portieri i parë Nebojsha Simiq, si dhe Milosh Bozhoviq që ka arsye personale. Dy lojtarëve që luajnë në Rumani, autoritetet e këtij vendi ua kanë ndaluar grumbullimin me përfaqësuese. Klube si Ferencvaroshi hungarez nuk kanë lëshuar lojtarët.
Sipas Vijesti, nuk dihet ende kush do të luajë në ndeshjet e kësaj jave, ndërsa nuk është përjashtuar mundësia që ndonjëra prej ndeshjeve të shtyhet.