Pas humbjes nga Mali i Zi, Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e luan një tjetër ndeshje të vështirë në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Të dielën nga ora 19:30 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Kosova e pret Slloveninë.
Sllovenia është përfaqësuese edhe më e fortë se Mali i Zi. Lojtarët e Sllovenisë luajnë në nivel të lartë evropian, disa prej tyre te Barcelona, fituesja në fuqi e Ligës së Kampionëve. Dhe gjasat për fitore të Kosovës nuk vlerësohen të mëdha.
Të mërkurën në Podgoricë, Kosova pësoi 29:20 nga Mali i Zi. Ndërkohë të enjten në Maribor, Sllovenia e mposhti Bosnjë-Hercegovinën me shifrat 28:20.
Sllovenët llogarisin në dy pikë të reja, ndërsa te Kosova kanë premtuar maksimumin.
Ndaj Malit të Zi paraqitja nuk u vlerësua e nivelit të kënaqshëm. Portieri Flamur Gërbeshi ishte thuajse i vetmi që shfaqi nivel të lartë. Ai kishte bërë plot 13 pritje, por nuk e kishte përkrahjen nga lojtarët e tjerë. Kështu Mali i Zi herët mbylli ndeshjen dhe në minutat e fundit i pushoi lojtarët kryesorë.
Te Kosova pranojnë forcën e Sllovenisë, ndërsa premtojnë maksimumin.
“Ndaj Malit të Zi ka pasur elemente të mira, por edhe lëshime që do të punojmë t'i përmirësojmë. Kemi edhe disa lojtarë të rinj në Kombëtare që po i përfshijmë gradualisht. Të dielën na pret tjetër ndeshje e vështirë me Slloveninë. Gjithsesi jemi të mobilizuar për ta dhënë maksimumin”, ka thënë selektori Bujar Qerimi.
Ai sërish nuk mund të llogaritë në Valon Dedajn, Bujar Ramosajn e Shaban Zogajn. Dedaj e Zogaj janë të lënduar, ndërsa Ramosaj nuk është grumbulluar për arsye personale, sipas FHK-së. Në përfaqësuese nuk është as Deniz Terziqi, një prej lojtarëve më të mirë në vend. Terziqi e Qerimi kanë pasur mosmarrëveshje më herët.
Disa lojtarë të rinj janë grumbulluar për ndeshjet e para të kualifikimeve për Euro 2024. Por kontributi i tyre ndaj Malit të Zi ishte i zbehtë. Edhe lojtarët me përvojë nuk shfaqën nivelin e pritur, me pak përjashtime.
Kosova e Sllovenia luajnë për herë të parë. Sllovenia paraqitet rregullisht në ngjarje të mëdha, ndërsa Kosova është në pritje për kualifikimin e parë.
Kosova është stabilizuar në fazën kryesore kualifikuese. Po bën përpjeke për ta siguruar paraqitjen e parë në një ngjarje të madhe. Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian, ndërsa gjasa ka edhe prej pozitës së tretë.
Pivoti Luigj Quni thotë se për Kosovën është e rëndësishme që lojtarët ta japin më të mirën.
Vazhdimisht Kosova ka luajtur më mirë si vendase. Përkrahja e publikut u ka shërbyer shumë lojtarëve. Shpresat janë që përkrahja të jetë e madhe edhe të dielën mbrëma.
“Ka shumë gjëra për të luftuar në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Por për mua nuk ka të bëjë me fitoren apo me humbjen. Bëhet fjalë për të treguar vullnetin tonë dhe shpirtin luftarak që kemi. Fatkeqësisht nuk arritëm ta bëjmë këtë në Podgoricë. I kemi borxh vetes dhe të gjithë fansave tanë që të tregojmë sërish fytyrën tonë të vërtetë. Kam besim të plotë tek ekipi se do të tregojmë një lojë të mirë”, ka theksuar Quni, që luan në elitën e Zvicrës.