Futboll

Lojtarët e Sllovenisë pranojnë cilësinë e Kosovës

Sllovenia

Përfaqësuesja e Sllovenisë ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër Kosovës.

Futbollistët sllovenë kanë besim se mund t’i mposhtin “Dardanët”. Por kanë thënë se lojtarët e Kosovës janë mjaft cilësorë. “Sigurisht që kemi një detyrë të vështirë përpara, pasi futbollistët e Kosovës, të cilët janë shumë cilësorë, do të vijnë  në 'Stozhice' shumë të motivuar”, ka thënë mbrojtësi Vanja Drkushiq.

Ai ka thënë se Benjamin Sheshko do të jetë mungesë e madhe për Slloveninë.

Sulmuesi i Manchester Unitedit është i lënduar.

Edhe Sandri Lovriq ka thënë se Kosova ka lojtarë të mirë.

“Në Prishtina vërtetuam se mund të luajmë kundër tyre, por për fat të keq nuk shënuam. Këtë herë do të kemi mbështetjen e tifozëve vendas, të cilët patjetër do të na japin energji shtesë për të fituar”, ka thënë Lovriq.

Sllovenia dhe Kosova janë përballur tri herë deri më tani. Sllovenët kanë dy fitore dhe një barazim.