Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova shpall listën për ndeshjet me Malin e Zi dhe Slloveninë

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka shpallur të enjten listën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024. Kosova është pa gjasa për kualifikim, ndërsa javën tjetër luan ndaj Malit të Zi dhe Sllovenisë. Ndeshja Kosova – Mali i Zi zhvillohet më 27 prill nga ora 20:15 në Prishtinë.

Ndërkohë ndeshjen përmbyllëse të kualifikimeve, ndaj Sllovenisë, Kosova e luan më 30 prill në Velenje. Nga Grupi 7 kualifikimin e ka siguruar Sllovenia, që udhëheq me tetë pikë. Sllovenët i kanë fituar katër ndeshjet e deritashme. Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina i kanë nga katër pikë, ndërsa në vendin e fundit është Kosova, pa pikë. Nga Mali i Zi, Kosova kishte humbur 29:20 në Podgoricë, më 12 tetor të vitit të kaluar.

Ndërkohë hendbollistët kosovarë kishin pësuar 29:24 nga Sllovenia, më 16 tetor të vitit të kaluar në Prishtinë. Në mars, “Dardanët” e hendbollit i humbën edhe dy ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën dhe kështu mbetën jashtë garës për kualifikim. Dy ndeshjet e fundit megjithatë vlerësohen shumë të rëndësishme për të konfirmuar nivelin e përfaqësueses së Kosovës. Selektori Qerimi ka ftuar hendbollistët më të mirë në të cilët llogaritë në vitet e fundit. Në përfaqësuese janë kthyer Luigj Quni, Mursel Mehmeti e Liridon Zena, ndërsa disa kanë mbetur jashtë. Ka kohë që selektori Qerimi nuk llogarit në Deniz Terziqin, njërin prej bekave më të mirë në hendbollin kosovar. Sipas njoftimit të FHK-së, grumbullimi i përfaqësueses bëhet të dielën. Kosova rrezikon të përfundojë ciklin kualifikues pa pikë të fituar. Në dy ciklet e kaluara kualifikuese për Evropian i mblodhi nga tri pikë. Kosova nuk është paraqitur ende në ngjarjet e mëdha me përfaqësuesen seniore.