Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Mainzi presin shumë nga mesfushori Gruda

Edhe pse i ka vetëm 19-vjeç, mesfushori i talentuar që posedon teknikë të jashtëzakonshme, Brajan Gruda tashmë ka regjistruar 17 paraqitje në Bundesligën gjermane me fanellën e Mainzit. Te skuadra e Mainzit janë shumë të kënaqur me zhvillimin e shpejtë, por edhe paraqitjet e Grudës që i ka pasur deri më tani. Trajneri i Mainzit, Jan Siewert, pret shumë nga Gruda, i cili në verën e vitit 2022 u promovua në ekipin e parë të Mainzit. Këtë edicion, Gruda ka 16 paraqitje për Mainzin në të gjitha garat, ku në 15 ndeshje të luajtura në kampionat ka realizuar një gol dhe ka bërë një asistim.

“Brajani i hodhi hapat e tij të parë në futbollin profesionist jashtëzakonisht shpejt. Ai ka nevojë edhe pak për ta përmirësuar lojën e tij në sulm, por në të njëjtën kohë duhet të jetë i kujdesshëm kur e ka topin në këmbë”, është shprehur trajneri Siewert. “Është detyra ime si trajner ta ndihmoj atë të gjejë ekuilibrin këtu te Mainzi dhe të bëhet gati për të marrë hapin tjetër në karrierë”.

Para se të promovohej si trajner i ekipit të parë të Mainzit, Siewert ka qenë në krye të skuadrës U23 që ka garuar në ligën regjionale. Ai e njeh mirë Grudën, për të cilin thotë se kishte një mentalitet që dallonte prej lojtarëve të tjerë në ekipin U23 edhe pse luante për ekipin U19. Për dallim prej Grudës, që në vitin 2022 filloi të stërvitej me ekipin e parë, lojtarët e tjerë të talentuar nuk e kanë bërë këtë hap për shkak se nuk e kishin bindur shtabin teknik. Në fakt, Gruda në ekipin e parë të Mainzit është promovuar nga ekipi U19 kur ishte vetëm 18 vjeç. Siewert thotë se Grudës i nevojitet ende kohë për t’u stabilizuar, pasi insiston se ai ende po zhvillohet si lojtar.

“Në të njëjtën kohë, duhet të merret parasysh fakti se Gruda është ende duke u zhvilluar si lojtar. Ai po punon mirë dhe sigurisht që po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Kjo është shumë e rëndësishme për të, por edhe për klubin tonë”, shtoi Siewert. “Edhe pse është i ri, me bindje të plotë e them se kur flas me Grudën, flas ndryshe për shkak se mentaliteti i tij dallon prej lojtarëve të moshës së njëjtë. Është i pjekur shumë dhe e kupton situatën”.

Siewert thotë se Gruda e ka parasysh shumë mirë se si profesionist ka presion dhe këtë e ka përballuar shumë mirë deri më tani. Sipas tij, dallon situata kur luan me ekipin U23 dhe për ekipin e parë.

“Me ekipin U23, gjithçka ka të bëjë me trajnimin e lojtarëve. Kjo do të thotë se atyre mund t’u japësh kohë edhe pas një paraqitjeje të dobët. Mirëpo te profesionistët gjithçka ka të bëjë me rezultatet dhe paraqitjet e mira. Dhe, ky presion duket se e ka bërë Grudën edhe më të fortë”.

Gruda në verën e vitit 2018 iu bashkua të rinjve të Mainzit nga Karlsruheri për të vazhduar zhvillimin e tij. Ai gjithashtu ka luajtur për gjeneratat e reja të Gjermanisë (U15, U16, U17, U18, U19), përpara se në shtator të vitit të shkuar të debutojë me ekipin U21, për të cilin ka pesë paraqitje deri më tani.

Artikuj të ngjashëm