Drejtori sportiv i Legia Varshëvaës, Radoslaw Kucharski ka thënë se te ekipi polak presin shumë nga reprezentuesi i Kosovës, Lirim Kastrati. Sulmuesi i krahut, u zyrtarizua te Legia, ekip me të cilin firmosi kontratë katërvjeçare dhe u transferua nga Dinamo e Zagrebit.
22-vjeçari në ekipin e ri, do ta bartë fanellën me numrin shtatë. Kastrati te Legia shihet si përforcim i duhur për titullin e kampionit të Polonisë dhe fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
“Lirim Kastrati është një futbollist, i cili falë shpejtësisë dhe cilësive me intensitet të lartë, do të dinamizojë lojën e të gjithë ekipit tonë, si në fazën e sulmit ashtu edhe në atë të mbrojtjes. Ky përforcim ishte i nevojshëm për konkurrencën efektive në fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe për luftën për titullin tjetër të kampionatit polak”, ka thënë Kucharski. “Lirim fitoi përvojë ndërkombëtare jo vetëm në nivelin e klubeve, por edhe në ekipin kombëtar, duke qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Shpresoj që ky lojtar të bëhet pjesë e rëndësishme e ofensivës dhe se spontaniteti i tij do të ndihmojë në krijimin e situatave të golave për lojtarët tanë të tjerë”.