Sport

Superliga U21, gara që ka pasuruar futbollin kosovar

Skuadra e Prishtinës ka mbetur shumë prapa në garën për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Gjasat tashmë janë të vogla që Prishtina ta fitoj titullin.

Por është ekipi U21 i Prishtinës ai që ka gjasa të mëdha ta fitojë titullin e kampionit. Stinorin vjeshtor të Superligës U21, Prishtina e mbylli në vendin e parë me 35 pikë, nëntë më shumë se Llapi që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Të mërkurën përfundoi pjesa vjeshtore e edicionit të parë të Superligës U21, ndërsa trajneri i Prishtinës, Azem Ahmeti, thotë se liga tashmë ka rezultatet e synuara.

“Mendoj se Liga U21, që për herë të parë ka nisur të zhvillohet në vendin tonë, ka arritur efektin duke pasur parasysh që pjesëmarrës janë të gjitha ekipet e Superligës. Fondi i lojtarëve është goxha i pasur me lojtarë të rinj, të cilëve do t’u shërbejë për përvojë, pasi vetëm nëpërmjet ndeshjeve mund ta ruash ritmin. Kjo garë ua mundëson lojtarëve të piqen dhe të jenë të gatshëm për ekipin e parë. Dihet, që shumë lojtarë nuk gjejnë hapësirë të madhe në ekipin e parë dhe kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar vlerat e tyre e pastaj të shkojnë në ekipin e parë”, ka thënë Ahmeti.

Ai vlerëson konkurrencën te seniorët e rinj.

“Duke pasur parasysh se që nga fillimi i Ligës U21, konkurrentët janë mjaft cilësorë, i jemi qasur garës me shumë seriozitet në çdo ndeshje. E rëndësishme është që lojtarët kanë treguar shumë disiplinë dhe shumë uri për lojë, për rezultat. Falë gjitha këtyre, ne si trajnerë të ekipit U21 të Prishtinës jemi shumë të kënaqur me të arriturat e deritashme”, është shprehur Ahmeti.

Në fakt, shumë lojtarë që janë pjesë e ekipeve U21, përfshihen edhe në disa ndeshje të ekipeve të para. Por edhe lojtarët që pak po gjejnë hapësirë në ekipet seniore, mundësinë për t’i treguar vlerat e tyre e kanë në ekipet U21.

“Kjo ligë do të nxjerrë në fund lojtarë të kalitur, që u mundësohet të fitojnë më shumë përvojë. Po ashtu është e mirëseardhur edh për trajnerë, që fillimisht kanë mundësi të bëjnë përvojë e më pas të avancojnë në ekipet e para”, ka theksuar Ahmeti, ish-futbollist i njohur.

Edhe trajneri i U21 të Lirisë, Robert Gjeraj e sheh si mundësi gradimin në ekipin e parë të Lirisë. Liria nuk po kalon formë të mirë në nivelin senior. Zë vendin e fundit me vetëm nëntë pikë, kurse Gjeraj me ekipin U21, stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e katërt me 25 pikë.

“Kjo ligë është shumë e rëndësishme, pasi që lojtarët e rinj, që nuk kanë minutazhë të madhe ose nuk besojnë në ekipet e para, kanë mundësi të paraqitjes më shumë në fushë. Është një ligë e fortë dhe shumë e mirë. Lojtarët janë dëshmuar tashmë dhe po presin rastin në ekipet e para. Është rasti i golashënuesit më të mirë të ligës U21. Xhevat Susuri ka dhjetë gola dhe menjëherë ka marrë minutazhë edhe në ekipin senior. Po të mos ishte Superliga U21, ndoshta do të harrohej si lojtar. Është e mirë sepse nuk lejon lojtarët të dorëzohen shpejtë”, ka thënë Gjeraj.

Shumë prej klubeve dhe njohësve të futbollit e kanë mbështetur krijimin e Superligës U21. Ka pasur dyshime nëse organizimi i ndeshjeve do të ishte sfidë për klubet. Por, në fakt doli krejt e kundërta, ndonëse ka rritur obligimet e klubeve si në aspektin financiar ashtu edhe organizativ.

“Në fillim e kam pasur shumë të vështirë, sidomos unë si trajner fillestar. E kam nisur me vetëm 12 lojtarë, por sot kam mjaftueshëm lojtarë që dëshirojnë ta tregojnë veten. Është një moshë delikate ku dëshpërimi është evident, por jam munduar t’i motivoj për të mos u dorëzuar. U kam thënë se vetëm me punë mund të arrish diçka. I falënderoj lojtarët për angazhimin. Çdo lojtar prej ekipeve U21 ka treguar vlerat e tij dhe mund të them se Superliga U21 është e barabartë me ekipet e pjesës së poshtme të tabelës në Ligën e Parë”, ka thënë Gjeraj.

Ndeshjet e Ligës U21 janë zhvilluar në mesjavë, duke mos penguar aktivitetet e ekipeve seniore. Ndonëse nisi me shumë dyshime, Liga U21 po del të jetë shumë e qëlluar.