Sport

Superliga do të jetë edhe më e ngjeshur edicionin e ardhshëm

Kanë mbetur edhe dhjetë xhiro deri në fund të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll, por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) qysh tash kanë filluar të mendojnë dhe të bëhen gati për sezonin 2020/21.

Në fakt, edicioni aktual që ka rifilluar këtë muaj pas një pauze gati tremuajshe shkaku i përhapjes së koronavirusit, është i paraparë të përfundojë më 25 korrik, saktësisht me finalen e Kupës së Kosovës që do të zhvillohet më datën 29 të muajit tjetër. Deri në fund të këtij edicioni, orari për ekipet elitare do të jetë i ngjeshur, për shkak se do të ketë ndeshje pothuajse çdo tri ditë. Mirëpo, edhe edicioni i ri nuk do të jetë aspak më i lehtë për shkak se ai duhet të përfundojë gati një muaj para fillimit të “Euro 2020”, turne që është shtyrë për vitin e ardhshëm si pasojë e pandemisë COVID-19, shkruan KOHA.

Kampionati Evropian vitin tjetër do të nisë në fillim të qershorit për të përfunduar pas një muaji. Kështu që, në FFK tashmë ka shkuar letra rekomanduese nga UEFA për të pasur parasysh një gjë të tillë dhe tani i mbetet Komisionit të Garave për të përpiluar datat e edicionit të ri, në mënyrë që gjithçka të përfundojë sipas datave të parapara. Edicioni 2019/20 ka nisur më 18 gusht të vitit të shkuar, datë që nuk përjashtohet edhe për sezonin e ardhshëm.

Mirëpo, në FFK po tentojnë që edicionin e ri ta fillojnë kah fundi i muajit gusht në mënyrë që futbollistëve t’u mundësohet sadopak një pushim i shkurtër pas orarit të stërngarkuar për ta mbyllur edicionin aktual. Gjithashtu, edicioni i ardhshëm në Superligën e Kosovës duhet të përfundojë më herët dhe sipas sekretarit gjeneral të FFK-së, Eroll Salihu, mund të ketë më shpesh ndeshje, çdo tri ditë. Në Superligë, edicionin e ardhshëm do të jenë vetëm dhjetë ekipe, dy më pak se këtë sezon.

“Ne tashmë kemi filluar të mendojmë për edicionin e ri, pasi vitin e ardhshëm është Kampionati Evropian dhe garat duhet të përfundojnë më herët. Edicionin e ri, Superliga do të mbyllet më herët, diku kah fillimi i muajit maj. Ndërsa, do të startojë në fund të gushtit për shkak se duam që lojtarëve t’u japim pak pushim”, është shprehur Salihu. “Natyrisht që do të konsultohemi edhe me klubet dhe në fund është Komisioni i Garave ai që merr vendim. Mirëpo, edicioni i ri do të jetë i ngjeshur për shkak të situatës së paparashikueshme që e shkaktoi pandemia”.

Përderisa po shikohet mënyra e një pushimi të vogël pas përfundimit të edicionit aktual për shumicën e klubeve, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për ato ekipe që do të sigurojnë daljen në garat evropiane për edicionin e ri.

Kosova në sezonin 2020/21 do të përfaqësohet për herë të parë me tri ekipe: një në Ligën e Kampionëve dhe dy të tjera në Ligën e Evropës. Garat parakualifikuese për të dyja këto gara, ku paraqiten skuadrat kosovare, do të nisin menjëherë në muajin e ardhshëm.