Për herën e tretë, është shtyrë fillimi i edicionit 2020/21 në Superligën e Kosovës në basketboll. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të hënën ka njoftuar se edicioni i ri do të fillojë më 28 tetor, vendim ky i marrë nga Bordi për t’u dhënë kohë të mjaftueshme skuadrave për t’u përgatitur sa më mirë.
Krahas vendimit për shtyrjen e edicionit të ri, FBK-ja ka njoftuar se ka shtyrë edhe për një javë mbylljen e afatit kalimtar që do të përfundojë të hënën e ardhshme (5 tetor) në orën 16:00.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 28.09.2020 ka marrë vendim për shtyrjen e fillimit të edicionit të ri të garave në mënyrë që t’ju jap kohë të mjaftueshme skuadrave të saj për tu përgatitur sa më mirë për edicionin e ri”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga FBK-ja. Me këtë vendim, ndeshjet e plejautit do të zhvillohen më 14 dhe 17 tetor derisa turneu i Superkupës së Kosovës do të nis më 21 për të përfunduar me 25 tetor.