Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Suarezmania” pushton Brazilin

Që kur iu bashkua klubit brazilian Gremio, sulmuesi veteran Luis Suarez ka pushtuar qytetin e Porto Alegres. Suarez e bëri këtë duke shënuar një mori golash, duke ngritur dy trofe dhe duke ndihmuar skuadrën e pafat të ëndërrojë përsëri për sukses.

Qyteti jugor është përfshirë nga “Suarezmania” që kur uruguaiani 36-vjeçar mbërriti katër muaj më parë për ta përmbyllur karrierën që tashmë është në muzg. Pjesëmarrja është dyfishuar në stadiumin e Gremios, fanellat e Suarezit u shitën për 10 ditë në dyqanin e klubit dhe fytyra e tij është stampuar në panot që valëviten nëpër rrugët e qytetit por edhe në tribunat e stadiumit kur ka ndeshje.

“Ka qenë një shfaqje e madhe”, tha tifozja e përjetshme e Gremios, Sandra Quintana, jashtë stadiumit muajin e kaluar përpara gjysmëfinaleve të kampionatit shtetëror të Rio Grande do Sul.

66-vjeçarja është dietologe dhe është shndërruar në fansen më të madhe të Suarezit.

“Është kaq emocionuese. Ai është një nga më të mëdhenjtë”, shtoi ajo derisa mbante një pankartë me fotografinë e “El Pistolero”, i cili ia siguroi finalen shtetërore Gremios kundër skuadrës së kategorisë së katërt Caxias. “Dhe tani ai është pjesë e familjes sonë. Suarez po sjell përvojën e tij këtu dhe po ndihmon në formimin e brezit të ardhshëm të lojtarëve të Gremios”.

Edhe Suarezi mund të kthehet tek Uruguai Futboll 2 muaj më parë Suarezi mund të kthehet tek Uruguai

Suarez ishte tmerri i mbrojtjes gjatë një karriere më shumë se 15-vjeçare në Evropë. Ai ishte ndër lojtarët kryesorë te klubet si Liverpool e Barcelona, por gjithashtu pati telashe, shkaku i incidenteve famëkeqe të kafshimit të kundërshtarëve. Ylli veteran e bëri rikthimin në Amerikën e Jugut vitin e kaluar, duke u kthyer në klubin e tij të fëmijërisë, Nacional në Montevideo të Uruguait. E ka ndihmuar ekipin ta fitojë titullin e kampionit të Uruguait. Suarez qëndroi vetëm katër muaj te Nacionali dhe më pas iu bashkua Gremios në janar të këtij viti.

Transferimi i Suarezit në Brazil nuk u pa me sy të mirë, bazuar në qëndrimin e tij të shkurtër te Nacionali dhe eliminimin me Uruguain në fazën e grupeve të Botërorit “Katari 2022”, i cili ishte Botërori i katërt i tij. Por Suarez ka heshtur skeptikët me paraqitjet e tij në Brazil. Ai ka shënuar 11 gola në 15 ndeshje, duke përfshirë katër që i siguruan Gremios kupën e fituesit të shtetit në janar dhe kampionatin shtetëror në fillim të këtij muaji.

“Pavarësisht se sa para fitoni, duhet të keni ambicie. Ky është mentaliteti me të cilin kam ardhur për të luajtur te Gramio”, tha Suarez pas ndeshjes së dytë finale të kampionatit shtetëror, ku shënoi golin e vetëm nga penalltia.

Ndeshjet e Suarezit deri më tani kanë qenë kryesisht kundër klubeve të nivelit të ulët shtetëror. Gjërat do të bëhen serioze tani me fillimin e sezonit të ligës braziliane. Suarez nuk arriti të bënte përshtypje në debutimin e tij në ligë të dielën e kaluar, duke humbur një penallti në fitoren 1:0 të Gremios ndaj Santosit.

Angazhimi i Suarezit ka qenë ndihmë për Gremion, një klub dikur i madh që fitoi Copa Libertadores në vitin 2017, por u rrëzua në divizionin e dytë vitin e kaluar. Ai ka qenë gjithashtu një “makinë” për të bërë para. Gremio shkoi nga 63,000 anëtarë sa i kishte në vitin 2022 në një rekord prej 95,000 anëtarëve këtë vit. Vizita mesatare për ndeshjet në shtëpi u dyfishua në 30,000 tifozë, tha presidenti i klubit, Alberto Guerra. Dyqani i klubit regjistroi shitje rekorde prej nëntë milionë realë (1.7 milionë dollarë) në tremujorin e parë, duke dyfishuar rekordin e mëparshëm. Kjo përfshinte 3800 fanella të Suarezit, të cilat u shitën për 10 ditë.

“Shitjet e dyqanit janë trefish ose katërfishi i mesatares historike”, tha Guerra. “Suarez mund të jetë duke iu afruar fundit të karrierës së tij, por ai ka ende shumë zjarr brenda vetes”.

Suarezit iu ofruan më shumë para për të luajtur në Meksikë ose Evropë dhe pati mundësinë e artë për t’u transferuar në MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha Guerra. Por në fund ai zgjodhi Rio Grande do Sul, i cili kufizohet me vendlindjen e tij, Uruguain. Porto Alegre, një qytet me 1.5 milion banorë, është pushtuar nga magjia e sulmuesit veteran. Suarez ka lënë mënjanë reputacionin e tij të djalit të keq dhe ka treguar anën familjare në Brazil, duke dalë për pazar dhe për akullore me gruan dhe tre fëmijët e tij. Ai madje nuk heziton as të ndalet për të bërë fotografi me njerëzit në rrugë. Suarez ka pamje me punonjësin 33-vjeçar të dyqanit të elektronikës, Rafael Silva, i cili bën “selfie” jashtë stadiumit. Silva ka ngjashmëri të madhe me Suarezin.

“Suarez ka pasur një ndikim të madh në Porto Alegre”, tha Silva.

Edhe Tregimi rrëqethës i Arias - nga varfëria në hero të Kolumbisë Botërori 2026 3 j. më parë Tregimi rrëqethës i Arias - nga varfëria në hero të Kolumbisë

Trajneri i Gremios, Renato Portaluppi, tha se qyteti “duhet t'i përkulet Suarezit për gjithçka që po bën deri më tani”. Sipas tij, Gremio është me fat që në radhët e veta ka një lojtar me karrierë si uruguaiani.

“Ai është një djalë spektakolar. Dhe ai po e bën Gremion edhe më të madhe se sa është tashmë. Me të në përbërje, ne sërish mund të ëndërrojmë për suksese”.