Pas një karriere të mbushur me trofe në Evropë, sulmuesi Luis Suarez ka vendosur të kthehet në vendlindje, Uruguai. Suarez, 35-vjeçar, personalisht ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për të bërë një kthim sensacional te ish-skuadra e tij, Nacional. Ish-sulmuesi i Liverpoolit e Barcelonës te Nacionali do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund të muajit të shkuar i skadoi kontrata me Atletico Madridin.
Ai për herë të parë iu pati bashkuar Nacionalit në moshën 14-vjeçare, përpara se të debutojë me ekipin e parë në vitin 2005, pasi kaloi me sukses të gjitha gjeneratat në klub. Mirëpo, pasi vetëm 35 paraqitjeve me Nacionalin, ai u rrëmbye nga skuadra e Groningenit të Holandës në vitin 2006. E kjo lëvizje e Suarezit te Groningeni ishte edhe fillimi i karrierës 16-vjeçare në futbollin evropian, ku nuk i munguan sukseset. Pasi ka fituar pesë tituj kampioni të La Ligas dhe trofeun e Ligës së Kampionëve në Evropë, Suarez ka zgjedhur të kthehet në vendlindje, ndonëse ka pranuar se nuk i munguan ofertat për të luajtur në futbollin evropian.
“Unë kam arritur marrëveshje për t’iu bashkuar Nacionalit. Ishte e pamundur për mua që ta refuzoj këtë mundësi. Shpresoj që detajet e tjera do të finalizohen, në mënyrë që transferimi im të kompletohet dhe të zyrtarizohem te Nacionali”, tha Suarez në një postim në Instagramin e tij.
Kjo edhe i jep fund pasigurisë mbi të ardhmen e tij, e cila filloi në muajin maj kur u njoftua largimi i tij nga Atletico Madridi, ekip për të cilin luajti dy sezone. Ai ka qenë i lidhur me një mori klubesh, duke përfshirë Aston Villan, Atalantan, Ajaxin, River Platen dhe së fundmi, Borussia Dortmundin. Duke folur në fillim të këtij muaji, Suarez diskutoi një rikthim në Amerikën e Jugut me skuadrën argjentinase River Plate.
“Isha shumë i emocionuar për mundësinë për të shkuar në River Plate për të luftuar për ta fituar Copa Libertadores”, tha Suarez. “Ishte një ëndërr që duhej të fitoja një kupë në Amerikën e Jugut. Megjithatë, sapo River u eliminua, kjo mundësi mori fund. Një muaj e gjysmë më parë deklarova se nuk do të largohesha nga Evropa, por në futboll gjërat ndryshojnë shpejt”.
Tifozët e Nacionalit kanë pritur një kthim të Suarezit dhe gjatë javës së kaluar treguan emocionet e tyre duke mbajtur maska me fytyrën e sulmuesit, si dhe duke mbajtur lart pankartat “Suarezi te Nacionali”. Pasi ka konfirmuar kthimin, tifozët e Nacionalit kanë nisur festën dhe me padurim po e presin prezantimin e sulmuesit të spikatur. Suarez ka vetëm një titull uruguaian në Amerikën e Jugut dhe tani do të shpresojë të udhëheqë 48 herë kampionin e Uruguait drejt sukseseve të mëtejshme pas një periudhe të mbushur me trofe në Evropë. Ka fituar gjithsej 17 trofe.
Edhe
“Suarezmania” pushton Brazilin
Pasi shënoi 12 gola për Nacionalin, ai u transferua në Groningen një vit përpara se të vuloste një transferim te gjiganti holandez Ajaxi. Ai fitoi një titull në Eredivisie dhe një Kupë të Holandës me Ajaxin para se të binte në sy të Liverpoolit, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2011. Me fanellën e Liverpoolit, Suarez shënoi 82 gola në 133 paraqitje në të gjitha garat. Ai do të fitonte vetëm Kupën e Ligës me Liverpoolin, por trofetë erdhën me bollëk pasi iu bashkua Barcelonës në vitin 2014, ku fitoi katër nga pesë titujt e tij të La Ligës dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2015.
Pas gjashtë sezoneve në “Camp Nou” përgjatë të cilëve shënoi 198 gola, Suarez iu bashkua rivalit të Barçës, Atletico Madrid, ku fitoi ligën spanjolle për herë të fundit në edicionin 2020/21 nën drejtimin e trajnerit Diego Simeone.