Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Suarezi largohet nga Brazili me “Topin e Artë”

Sulmuesi uruguaian, Luis Suarez, ish-bashkëlojtar i Lionel Messit te Barcelona, fitoi “Topin e Artë” të premten, si lojtari i edicionit në ligën braziliane.

37-vjeçari Suarez, i cili luajti me Messin në Spanjë pas disa edicionesh në Liverpool dhe Ajax, shënoi 17 gola për nënkampionin e ligës braziliane, Gremion. Edicioni në Brazil përfundoi të enjten me skuadrën e Palmeirasit që e mbrojti titullin e kampionit.

Suarez shënoi dy gola në ndeshjen e fundit të edicionit, të cilën Gremio e fitoi me rezultatin 3:2 ndaj skuadrës së Fluminenses, në stadiumin “Maracana” në Rio de Janeiro. Golashënuesi më i mirë i ligës braziliane ishte sulmuesi i Atletico Mineiros, Paulinho, me 20 gola të realizuar.

Suarez tha shumë herë se kishte frikë se nuk mund ta përfundonte edicionin në Brazil për shkak të dhimbjeve të forta të gjurit dhe telasheve me fluturimet të gjata. Por një përzgjedhje gazetarësh votuan që ai të fitonte çmimin e “Topit të Artë”. Suarez luajti 53 ndeshje për Gremion dhe shënoi 26 gola në tri gara të ndryshme për ekipin brazilian.

“Jam pothuajse 37 vjeç dhe ky është viti që kam luajtur më së shumti në karrierën time. Ishte gjithashtu viti kur isha më shpesh i larguar nga familja ime. Ky çmim i takon asaj”, tha Suarez i përlotur pasi mori trofeun nga ish-bashkëlojtari i Përfaqësueses së Uruguait, Diego Lugano.

Kur u pyet për të ardhmen e tij, ylli i dikurshëm i futbollit evropian refuzoi të përgjigjet. Mirëpo ai tha se do të kujtojë jo vetëm tifozët e Gremios, por edhe ata të klubeve të tjera braziliane që e respektuan si kundërshtar këtë vit në Brazil. Ai në janar iu bashkua Gremios si lojtar i lirë pasi e shkëputi kontratën me Nacionalin e Uruguait. Për Gremion, Suarez e zhvilloi ndeshjen e fundit kundër Fluminenses pasi ditë më parë shkëputi kontratën me skuadrën braziliane për t’u larguar në fund të këtij muaji.

Është raportuar se Suarez do të transferohet në MLS te skuadra e Inter Miamit. Ka raportime se tashmë ka arritur marrëveshje me ekipin amerikan.

Tek Inter Miami, Suarez nuk do të ribashkohet vetëm me Messin, por edhe me Sergio Busquetsin e Jordi Alban, me të cilët luajti po ashtu te Barcelona.

“Është e vështirë të shohësh tifozët rivalë këtu që të duartrokasin kur luan, dhe kjo më ndodhi mua në disa vende, për çka edhe jam shumë krenar”, tha Suarez. “Kjo ka të bëjë me mendjen e lojtarit, nuk ka rëndësi mosha e tij. Mund të jetë Endrick në moshën 17-vjeçare, Hulk, Suarez apo dikush tjetër. Mendësia dhe përkushtimi duhet të jenë aty për ju që të luani dhe të bëni atë që ju pëlqen”.

Artikuj të ngjashëm