(BBC në gjuhën serbe) – Olti Bytyçi është një 17-vjeçar që jeton në Malishevë dhe merret me atletikë, që së fundmi e dërgoi në Beograd, në Kampionatin Ballkanik për të rinj dhe në një njëfarë mënyre e futi në histori.
“Unë mora pjesë në garën e vrapimit në 800 metra dhe jam i kënaqur me paraqitjen. Isha i shtati prej nëntë garuesve”, tha Bytyçi.
Nga Komiteti Olimpik i Kosovës kanë konfirmuar se gjashtë atletë kosovarë kanë marrë pjesë në garën e zhvilluar në Beograd, që e quajnë precedent – kjo është hera e parë që Përfaqësuesja e Kosovës merr pjesë në një garë sportive me emrin e saj, theksojnë në KOK.
Nga Federata e Atletikës e Serbisë thonë se Kampionati Ballkanik për të rinj i takon së shkuarës dhe se nuk e kanë ndërmend të komentojnë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në atë garë.
Në muajt në vijim Serbia do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror të Atletikës në sallë, Kampionatit Evropian të pingpongut për të rinj dhe kampionatit botëror të mundjes. Nga Komiteti Olimpik i Kosovës thonë se do të kenë përfaqësues në të gjitha këto gara.
Edhe
Botërorët që për Kosovën kalojnë në heshtje
Milan Jeliq, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Serbisë, ka thënë se nuk ka “asnjë informatë apo njoftim” për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë. Ndërsa nga Federata e Pingpongut e Serbisë nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë çështje.
Edhe Federata e Atletikës e Serbisë mohon që atletët e Kosovës do të jenë në Kampionatin Botëror në Beograd.
“Ju jeni të interesuar vetëm për gjërat e zeza, nuk dua të flas për atë temë, është më të vërtetë poshtë nderit tim”, ka thënë Slobodan Brankoviq, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Atletikës të Serbisë.
Marrëdhëniet e ndërlikuara politike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë reflektuar në terrenet sportive me vite të tëra - në Kampionatin Botëror të boksit, që u mbajt muaj më parë në Beograd, nuk kishte sportistë nga Kosova dhe situata të ngjashme ka pasur edhe më herët.
Basketbollistet e Partizanit dhe futbollistët e Cërvena Zvezdës nuk kanë mundur të hyjnë në Kosovë dhe të zhvillojnë ndeshje para disa vitesh, ndërsa tensione ka pasur edhe para ndeshjes së junioreve të Serbisë dhe Kosovës në hendboll, e cila në fund u anulua.
Për atletikën dhe për politikën
Olti Bytyçi ka filluar të merret me atletikë katër vjet më parë në vendlindjen e tij në Malishevë, një qytet me disa mijëra banorë, në trekëndëshin ndërmjet Prishtinës, Gjakovës dhe Prizrenit.
“Më pëlqen shumë vrapimi dhe jam shumë garues. Për këtë arsye më pëlqen të garoj dhe gëzohem shumë kur stërvitem dhe arrij rezultate të mira”, thotë ai.
Ai vrapoi garën e 800 metrave në Beograd për pak më shumë se dy minuta, rezultat me të cilin është i kënaqur.
“Unë dyshova se do të ishim në gjendje të garonim, por u stërvita shumë për atë garë”, tha ai.
Olti shpjegon se kanë kaluar dy net e tri ditë në Beograd dhe qyteti i duket “i bukur” edhe pse nuk kanë shëtitur, pasi ka qenë i fokusuar në garë dhe për arsye sigurie kanë mundur të jenë vetëm në hotel.
“Policia na ruante, ndihesha i sigurt dhe gjithçka ishte në rregull, por kurrë në jetën time nuk më ka ndodhur diçka e tillë, kështu që gjithçka ishte paksa tronditëse dhe befasuese për mua”, shprehet ai.
Mirëpo ai gëzohet që ishte një nga sportistët e parë kosovarë që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 garoi në territorin e Serbisë.
Si ndodhi kjo?
Komiteti Olimpik i Kosovës thotë se kanë komunikuar me Federatën Ballkanike të Atletikës, e cila është përgjegjëse për kampionatet rajonale. Me organizatorët e ngjarjes në Beograd kanë folur vetëm për “procedurat teknike”.
Flamuri i Kosovës nuk ishte në garë, por sportistët kosovarë kanë garuar me atë emër dhe me shkrimin “Kosova” në fanella.
“Sportistët tanë nuk kanë pasur kurrfarë problemesh me kolegët serbë, jo vetëm tani, por edhe në garat e tjera ndërkombëtare dhe kampet përgatitore”, shkruan në përgjigjen e Kushtrim Krasniqit, zëdhënës i KOK-ut. “Kemi pasur gjashtë sportistë. Për të gjithë ishte hera e parë që garuan në Beograd dhe çdo gjë ishte korrekte. Jemi trajtuar si të gjithë të tjerët dhe për këtë i falënderohemi organizatorit.
Slobodan Brankoviq, reprezentues i Jugosllavisë në fund të viteve 1980-dhe fillim të viteve 1990, aktualisht sekretar i përgjithshëm në Federatën e Atletikës së Serbisë, nuk ka dashur të flasë për këtë.
“Unë jam kampion i Evropës para 30 vjetësh, serbi më i shpejtë dhe ende mbajtës i gjashtë rekordeve. Kam sjellë në Beograd dy kampionate evropiane dhe një botëror, kurse ju po më pyesni për pjesëmarrjen e sportistëve të Federatës së Atletikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Brankoviq mori pjesë në Lojërat Olimpike Verore në Seul në vitin 1988 dhe në vitin 1992 në Barcelonë, si dhe Kampionatin Botëror të vitit 1991 në Tokio. Ai ishte pjesë e stafetës jugosllave, që fitoi vendin e katërt.
“Nuk ju interesojnë lajmet e mira, siç është fakti që brezi më i talentuar i atletikës serbe së fundmi theu 12 rekorde, por vetëm gjërat e zeza”, tha Brankoviq. “Nuk do të flas për këtë temë”.
Garat e ardhshme
Pas Kampionatit Ballkanik në Beograd, zyrtarët kosovarë shpresojnë që sportistët e tyre të jenë pjesëmarrës në garat e ardhshme që do të mbahen në Serbi. Fillimisht në Kampionatin Botëror të Atletikës në sallë, i cili është në program nga 18 deri më 20 mars në Beograd.
“Shpresojmë që në atë garë të kemi të njëjtin trajtim si në Kampionatin Ballkanik të të rinjve”, theksojnë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Ata ende nuk e dinë se sa prej sportistëve të tyre do të jenë në Kampionatin Evropian të pingpongut për të rinj dhe në Kampionatin Botëror të Mundjes.
Edhe
Ballkaniku i atletikës në Serbi u mbajt pa Kosovën pjesë të tij
Gara e pingpongut duhet të mbahet nga 6 deri më 15 korrik, thonë nga Federata e Pingpongut e Serbisë, duke shtuar se “asgjë ende nuk është saktësuar”.
“Nuk dihet ende nëse ai do të jetë në Novi-Sad apo në Beograd”, thonë nga kjo federatë.
Kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme të sportistëve kosovarë, thonë se nuk dihet asgjë as për këtë dhe se para së gjithash kjo pyetje është për Aleksandar Karakasheviqin, drejtorin e federatës.
Mirëpo Karakasheviq ka zgjedhur të mos përgjigjet në këtë pyetje.
Për ndeshjet e mundshme mes sportistëve nga Serbia dhe Kosova u diskutua edhe para Lojërave Olimpike të Tokios, të mbajtura gjatë verës së vitit 2021. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti anëtarët e ekipit olimpik përpara se sportistët të niseshin për në Tokio, dhe theksoi se “përkundër rregullit të famshëm olimpik ‘e rëndësishme është pjesëmarrja’, shpresoj në suksese dhe medalje”.
Ai në mënyrë të veçantë iu drejtua garuesve të xhudos, të cilët, siç tha, do të jenë në garë me sportistët e Përfaqësueses së Kosovës.
“Mos të fshihem, këto probleme dhe të gjithë ata që duan të thonë diçka kundër dikujt, dua t’i vë në shpinën time”, tha Vuçiq. “Milica dhe Marica, meqë në garë do të keni konkurrentë nga e ashtuquajtura Kosova, mos u bëni merak – ju merreni me sport dhe fituat apo humbët, ne do të jemi me ju. Ju bëni sport, thjesht bëni punën tuaj dhe mos u shqetësoni për asgjë tjetër”, shtoi ai.
Siç tha Vuçiq, zyrtarët “nuk do t'i detyrojnë në asnjë akt politik apo ndonjë gjë tjetër”.
Ndjekja e medaljeve
Bytyçi gjatë kësaj kohe thotë se “mëson, stërvitet dhe përpiqet ta shijojë jetën e tij si adoleshent dhe shoqërimin me shokë”.
I pyetur nëse mendon se do të ndryshojë diçka në të ardhmen kur bëhet fjalë për sportin, ai thotë se nuk është i sigurt.
“Nuk më takon mua të flasë për këtë, por shpresoj se do të bëhet dhe të gjithë sportistët nga Kosova do të mund të garojnë në Serbi dhe anasjelltas, pasi sporti duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, tha ai.
Ai shton se do të dëshironte të fitonte medalje në garat më të mëdha.
“Në kampionatet Ballkanike, Evropës, botës... Dhe pse jo edhe në Lojërat Olimpike një ditë”, u shpreh Bytyçi. “Këto janë synimet e mia, por e di që është shumë e vështirë t’i arrij. Kështu që po stërvitem fort”.
Të gjitha ndeshjet e (pa) luajtura
Në dy dekadat e fundit ka pasur shumë raste kur nuk kishte sport për shkak të politikës. Shembulli më i njohur është klubi i futbollit Trepça nga pjesa veriore e Mitrovicës, ku shumica janë serbë. Ky klub garon në Ligën Perëndimore të Serbisë - në rangun e tretë.
FK Trepça doli në qendër të vëmendjes në vitin 2019, kur shorti i Kupës së Serbisë bëri që të takohej me Cërvena Zvezdën e Beogradit. Ndeshja ishte dashur të luhej në Zveçan, por delegacioni i Zvezdës nuk u lejua të futej në Kosovë - futbollistët u kthyen nga vendkalimi administrativ i Jarinjës.
Dueli u luajt të nesërmen në Qendrën Sportive të FSS-së në Stara Pazova dhe Zvezda fitoi bindshëm.
Një vit para futbollistëve te Zvezdës, nga Jarinja u kthyen basketbollistët e Partizanit të Beogradit. Plani ishte që Partizani të zhvillonte një ndeshje miqësore me basketbollistët e Trepçës në Leposaviq, por edhe ata nuk u lejuan të hynin në Kosovë.
Në të njëjtin vit ka pasur tensione para ndeshjes së ekipeve të junioreve të hendbollit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Ndeshja fillimisht ishte dashur të luhej në Kragujevc, por u zhvendos në qendrën sportive Kovilovo, afër Beogradit, dhe përfundimisht u anulua me vendim të qeverisë serbe.
“A do të mund të organizojmë që kjo ndeshje të zhvillohet? Sigurisht, por cili do të ishte çmimi”, tha ministri i atëhershëm i policisë, Nebojsha Stefanoviq. “Konfliktet mes njerëzve tanë dhe policisë për gjëra në të cilat nuk besojmë janë kundër interesave tona”.
Në ditët para ndeshjes, tifozët protestuan para qendrës Kovilovo, duke paralajmëruar ardhjen e tyre në ditën e ndeshjes, ndonëse ajo ishte menduar të zhvillohej pa publik, simbole shtetërore dhe himn. Pas anulimit të ndeshjes, Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) e pezulloi Federatën e Hendbollit të Serbisë dhe i përjashtoi nga kualifikimet hendbollistet e reja.
Rasti më i fundit ka ndodhur në tetor të vitit 2021, kur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Beograd nuk kishte asnjë boksier kosovar. Delegacioni i Kosovës në boks u përpoq tri herë të arrinte në Beograd – por pa sukses.
“Secilën herë na ndaluan në kufi për shkak të simboleve të Kosovës që i kishim në pajisje”, tha Latif Demoli, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.
Nenad Borovçanin, president i Federatës së Boksit të Serbisë, më pas në një deklaratë të shkurtër tha se “e ashtuquajtura Kosovë nuk është pjesëmarrëse në Botëror” dhe se nuk dëshiron të japë deklarata “për provokimet e tyre”.
Edhe
Serbët e pranojnë se presioni i IOC-së bëri që Kosova të paraqitet në dy ngjarjet në Beograd
Një gjë e tillë si boksierëve i ka ndodhur edhe ekipit të karatesë së Kosovës në vitin 2018, i cili dëshironte të merrte pjesë në Kampionatin Evropian në Novi-Sad, por u mbajt në vendkalim në dy tentime.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur ndeshje mes ekipeve serbe dhe kosovare. Hendbollistet e ekipit Naisa nga Nishi e mposhtën skuadrën e Vëllaznimit nga Gjakova në vitin 2007 me rezultatin 81:42, në 1/8 e finales së Challenge Cup. Ndeshjet u luajtën në qytetin hungarez Tatabanya, pa publik dhe me forca të mëdha sigurie. Në ndeshje u shfaqën flamuri i Serbisë për Naisan, flamuri i Federatës Evropiane të Hendbollit për Vëllaznimin, ai i Challenge Cup dhe flamujt e vendeve të gjyqtarëve dhe delegatëve - Hungarisë e Sllovakisë.