Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja vazhdon me qëndrimin e pakuptimtë, refuzon ta shkruajë “përfaqësuesja e Kosovës”

Në Nafplio të Greqisë të hënën ka nisur Kampionati i 16-të Mesdhetar për hendbollistet deri 17 vjet. Në këtë Kampionat po merr pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës, që të hënën i luajti dy ndeshje.

Në mëngjes, hendbollistet kosovare pësuan nga Kroacia me rezultat 29:16, ndërsa në mbrëmje pësuan nga Spanja me rezultat 32:11.

Kosova është paraqitur me të gjitha simbolet në dy ndeshjet e para. Pra edhe me himn e me flamur, që është i shfaqur në sallën ku po luhen ndeshjet. Por spanjollët, përkatësisht Federata e Hendbollit e Spanjës, nuk e ka shkruar drejt mënyrën e përfaqësimit të Kosovës.

Federata spanjolle në profilet e saj në rrjetet sociale ka shkruar se Spanja është takuar me “Federatën e Hendbollit të Kosovës” (Federacion de Balonmano de Kosovo).

Edhe kur e ka paralajmëruar ndeshjen, federata spanjolle e ka shkruar për kundërshtar “Federatën e Hendbollit të Kosovës”.

Kjo në fakt nuk qëndron. Kosova në Greqi, që nuk e njeh shtetin e Kosovës, po paraqitet me të gjitha simbolet dhe e barabartë me të gjitha përfaqësueset tjera. Edhe në transmetimin “online” të ndeshjeve prezantimi është i duhuri. Por jo në rrjetet sociale të federatës spanjolle.

Një qëndrim të tillë të pakuptimtë e jokorrekt në të kaluarën e ka pasur edhe Federata e Futbollit të Spanjës e po ashtu, televizioni spanjoll.

Edhe Hendbollistet spanjolle respektojnë himnin e Kosovës, por federata spanjolle nuk e shkruan Kosovë Sport Hendbollistet spanjolle respektojnë himnin e Kosovës, por federata spanjolle nuk e shkruan Kosovë

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës nuk i japin ndonjë peshë mënyrës se si spanjollët e prezantojnë Kosovën. Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, thotë se e rëndësishme është që në Kampionatin Mesdhetar, Kosova po paraqitet me të gjitha simbolet. Ai ka kujtuar që Kosova U21 ishte paraqitur në Botëror në Spanjë me të gjitha simbolet.

“Në Kampionatin e 16-të Mesdhetar, Kombëtarja jonë paraqitet me të drejta të barabarta, me himn e flamur dhe me të gjitha simbolet, ndonëse ngjarja po mbahet në Greqi, vend që nuk na njeh. Të gjitha simbolet u shfaqën edhe në ndeshjen me Spanjën, ndërsa qëndrimi i federatës spanjolle është i padrejtë dhe nuk përkon me realitetin. Sigurisht se ne do të kërkojmë sqarime nga federata spanjolle, por ndoshta kjo bëhet edhe për shkak të presionit të brendshëm që mund të ketë kjo federatë. Të kujtojmë që ne në Spanjë jemi paraqitur në Botëror dhe atë me të gjitha simbolet”, ka thënë Gjinovci për KOHËN. “Kjo që shkruajnë spanjollët në rrjetet e tyre sociale, ndonëse e pakuptimtë, nuk është se ka ndonjë peshë. E rëndësishme është që në Kampionatin ku po marrim pjesë, jemi të barabartë me të gjithë të tjerët. Në fakt ne në të gjitha ngjarjet ku paraqitemi jemi të barabartë”, ka shtuar sekretari i përgjithshëm i FHK-së.

Hendbollistet e Kosovës U17 janë në Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Italia e Mali i Zi. Të martën, Kosova luan me Malin e Zi.

Image
Pamje nga palestra në Spanjë, ku Kosova mori pjesë në Botërorin U21 në hendboll